30 ditë paraburgim për Jahi Jahiun

Maqedonia

30 ditë paraburgim për Jahi Jahiun

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 21:15
Jahi Jahiun

Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve për Jahi Jahiun, sekretar shtetëror në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Nga Gjykata Penale thonë se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut për arratisje dhe përsëritje të veprës penale.

Ndryshe, për shkak të marrjes së ryshfetit prej 38 mijë eurove, policia mëngjesin  e sotëm kishte arrestuar Jahiun.

Prokuroria dhe MPB-ja dyshojnë se Jahiu bashkë me një punonjës tjetër në këtë dikaster kanë marrë para dhe kanë favorizuar kompaninë “Latanzio”  e cila e ka fituar tenderin për të realizuar një projekt të financuar me IPA fonde në vlerë prej më shumë se 1 milion euro, për koordinimin e trajnimeve në administratën publike.

Jahi Jahiu dhe një koleg i tij tre herë kanë udhëtar jashtë vendit. Kompania italiane i ka mbuluar shpenzimet në vlerë prej 7 mijë eurove. Në këmbim, të dyshuarit e kanë informuar kompaninë për procedurat e tenderit. Ata kanë mundësuar pozitë të favorizuar për kompaninë italiane për shërbime këshillëdhënëse “Latanzio” në garën për mbi 1 milionë euro, para evropiane.

Paratë e ryshfetit për Jahiun dhe kolegun e tij në vend janë sjellë tre herë në shuma të gatshme. Italiani me iniciale M.XH i ngarkuar për marrëdhënie me publikun në kompaninë “Latanzio” i ka dorëzuar paratë. Organet e hetuesisë në vend, hetimin e kanë zhvilluar në koordinim me prokurorinë e Milanos nga Italia.

Dyshimet për korrupsion gjatë shpërndarjes së parave evropiane kanë zgjatur dy muaj. Janë përfshirë edhe organizata ndërkombëtare. Hetimi është iniciuar nga OLAF- Shërbimi evropian për parandalimin e mashtrimeve.

Në njoftimin e përbashkët të policisë dhe prokurorisë kujtojnë se Jahi Jahiu në vitin 2005 është ndjekur penalisht edhe për mashtrime zgjedhore, por në vitin 2006 vepra është rikualifikuar dhe Jahiu u dënua vetëm me para. Ndryshe, Jahi Jahiu që nga viti 2011 si kuadër i BDI-së e kryen detyrën e sekretarit shtetëror në Ministrinë për shoqëri informatike dhe administratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat