Arrestimi i Jahiut, Prokuroria po heton edhe funksionarë të tjerë

Maqedonia

Arrestimi i Jahiut, Prokuroria po heton edhe funksionarë të tjerë

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 15:28
Jahiu

Nuk ka detaje të reja nga akuza kundër sekretarit shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike, Jahi Jahiu, i cili u paraburgos nën dyshimet për marrje të ryshfetit nga një tender i një kompanie italiane. Nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion thonë se dëshmitë e sjella nga organet italiane do të përdoren në akuzën kundër dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut. Villma Ruskoska paralajmëron se për krim ekonomik dhe korrupsion po heton edhe funksionarë të tjerë.

Pas bastisjeve, gjëja e vetme për të cilën jam e informuar është se në Itali janë gjetur dëshmi të cilat do të përdoren në procedurën kundër shtetasve tanë. Neve sapo kemi filluar me hetimin dhe duhet shqyrtuar të gjitha materialet e siguruara dhe për këtë nevojitet kohë e caktuar. Nëse hetimi do të zgjerohet, do ta shohim pasi t’i kemi të gjitha dëshmitë. Dua të saktësoj se në rrjedhë ka procedura para hetimore dhe hetimore për disa funksionar të caktuar dhe tani për tani mund të them vetëm kaq- deklaroi Villma Ruskoska, Prokurore e Departamentit kundër Krimit të Organizuar.

BDI duke u thirrur në hetimin e kërkuar për çdo funksionar të partisë, kërkon nga organet që punën e tyre ta kryejnë pa drejtësi selektive. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani thotë se kërkesa për hetim ka lind si pasojë e luftës speciale kundër BDI-së por pa precizuar se nga kush, dhe kërkoi që për bashkë-partiakun Jahi Jahiu të respektohet prezumimi i pafajësisë.

Nëse mendoni se BDI-në mund ta fitoni me luftë speciale, e keni gabim sepse BDI i ka tejkaluar këto sfida dhe forma të ndryshme të luftës speciale. Ne e kemi borxh të ruajmë dinjitetin, trashëgiminë dhe historinë e BDI-së si vlerë kombëtare shqiptare. Prandaj edhe kemi kërkuar hetim, e nëse gjatë këtyre hetimeve do konstatohet se kush do ka shkelur ligjin me vetëdije për të përfituar, BDI nuk i qëndron mbrapa, por është me rendësi që për hir të dinjitetit të njerëzve, të respektohet prezumimi i pafajësisë derisa organet të konstatojnë se akuzat janë ose jo të vërteta- tha Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.

Jahi Jahiu dyshohet për marrje të ryshfetit prej 38 mijë eurove. Prokuroria dhe MPB-ja dyshojnë se Jahiu së bashku me një punonjës tjetër në këtë dikaster kanë marrë para dhe kanë favorizuar një kompani italiane e cila e ka fituar tenderin për të realizuar një projekt të financuar me fonde IPA në vlerë prej më shumë se 1 milion euro, me gjasa për koordinimin e trajnimeve në administratën publike. Jahiut dhe kolegut të tij madje u janë paguar edhe udhëtime jashtë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat