Kalaja e Shkupit ndriçohet me ngjyrën blu në solidaritet me refugjatët

Maqedonia

Kalaja e Shkupit ndriçohet me ngjyrën blu në solidaritet me refugjatët

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 23:55
Kalaja e Shkupit

 Me aktivitete të ndryshme, sot në botë shënohet 20 Qershori – Dita Botërore e Refugjatëve, ndërsa në solidaritet me refugjatët me rastin e kësaj dite, Kalaja e Shkupit sonte është ndriçuar me ngjyrën blu. Ndriçimi i kalasë, që u realizua me mbështetjen e Qytetit të Shkupit, do të zgjasë deri në fund të këtij muaji, (AA). Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe agjencia e OKB-së për refugjatë, UNHCR, theksojnë angazhimin për të mbrojtur njerëzit të cilët janë të detyruar të ikin dhe do t’i mbështesin ata në luftën e tyre për një jetë dinjitoze pa frikë, thuhet në një njoftim të ministrisë.

“Ndriçimi i Kalasë është një simbol i solidaritetit dhe mbështetjes për refugjatët, një nga kategoritë më të rrezikuara të njerëzve në planet, gjysma e të cilëve janë fëmijë. Ndriçimi me njgyrën blu gjithashtu është një kujtues i të gjitha veprave të solidaritetit që qytetarët maqedonas kanë treguar për refugjatët gjatë dekadave të fundit. Shpresoj që kjo frymë e solidaritetit të vazhdojë të jetojë te qytetarët tanë dhe të frymëzojë edhe më shumë njerëz për të shprehur mbështetjen e tyre për refugjatët”, ka thënë ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur gjuha e urrejtjes dhe ksenofobia krijojnë lajme. Ne duam të tregojmë një tregim të ndryshëm, një tregim të tolerancës, lidhjes dhe vlerave të përbashkëta”, është shprehur Dimitrov.

Ndërkaq, përfaqësuesja e UNHCR-së në Maqedoninë e Veriut, Monica Sandri, ka thënë se çdo vit në këtë ditë bëjnë thirrje për solidaritet me refugjatët.

“Këtë vit ne ftojmë çdo individ, individualisht dhe kolektivisht, që të ndërmarrin hapa konkretë për të treguar mbështetje për njerëzit që nuk kanë zgjidhje përveçse të ikin nga shtëpitë e tyre. Shembulli personal është kontributi më i fortë që mund të japim për të ndërtuar një shoqëri më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse, në të cilën askush nuk do të përjashtohet”, ka thënë Sandri në shënimin e përbashkët të Ditës Botërore të Refugjatëve.

Shënimi i Ditës Botërore të Refugjatëve synon të rrisë ndërgjegjësimin e opinionit publik për vështirësitë me të cilat ballafaqohen miliona refugjatë të cilët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sipas një raporti të UNHCR-së, vitin e kaluar, mbi 70 milionë njerëz në botë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftërave, konflikteve dhe persekutimit, që, sipas raportit, është numri më i larti në 70 vitet e fundit.

Ndryshe, në kohën e krizës së refugjatëve në vitin 2015 dhe 2016, Maqedonia e Veriut ishte pjesë e të ashtuquajturës “rruga ballkanike”, përmes së cilës kalonin refugjatët që vinin nga vendet e Lindjes së Mesme. Që nga marsi ivitit 2016, kjo rrugë është mbyllur zyrtarisht.

Sipas të dhënave nga Iniciativa Rajonale për Migracion, Azil dhe Refugjatë (MARRI), më shumë se 1,1 milion njerëz kaluan nëpër rrugën ballkanike në vitin 2015 dhe 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat