Edhe ministrat në Maqedoni “alergjik” ndaj gjuhës shqipe

Maqedonia

Edhe ministrat në Maqedoni “alergjik” ndaj gjuhës shqipe

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 18:48
Ilustrim

Inspektorati dhe Agjencia për zbatimin e Ligjit të Shqipes janë dy institucione kryesore, të cilat sipas Ligjit për gjuhët, duhet të kujdesen për zbatimin praktik të ligjit germë për germe. Ligji për përdorimin e gjuhëve qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë u mundëson një komunikim të zgjeruar me të gjitha institucionet e shtetit, qoftë ato të pushtetit qendror apo atij lokal, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse Agjencia për përdorimin zyrtarë të shqipes është formuar, në mungesë të Inspektoratit për zbatimin praktik të ligjit, shumë institucione shtetërore kanë gjetur “shteg” për të mos e respektuar ligjin. Për këtë çështje, disa herë kanë reaguar edhe partitë politike shqiptare të cilat insistojnë që Ligji të zbatohet në praktik. Por, shumë institucione dhe ministri nuk ia “varin” as Ligjit e as thirrjeve të partive shqiptare.

Kësi soj, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) fare nuk çanë kokën se ka ligj për përdorim zyrtarë të gjuhëve. Ueb faqja e kësaj ministrie është vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze. Gjithashtu, kjo ministri nuk komunikon edhe me mediat në gjuhën shqipe, pasi komunikatat deri te ato i adreson vetëm se në gjuhën maqedonase. Një situatë e ngjashme është edhe me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve. Te kjo e fundit ekziston linku i gjuhës shqipe, por pa materiale në shqip. Te ministria që drejtohet nga ministri Dragan Tevdovski, as link për shqipen nuk ekziston, por vetëm maqedonishtja dhe anglishtja.

Ndryshe nga këto, Ministria e Shëndetësisë edhe pse ka version edhe në shqip të ueb faqes së saj, në të lajmi i fundit i publikuar në gjuhën shqipe mbanë datën 13 dhjetor të vitit 2017. Krahas ministrive edhe në shumë institucione tjera shtetërore nuk respektohet në praktik ligji i Shqipes. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) edhe pse po tenton të vë në praktik Ligjin për përdorimin e gjuhës në ueb faqen e saj, përsëri njoftimet ditore me të cilin njoftohen mediat dhe opinioni për ndodhitë e 24 orëve të fundit nuk i transmeton edhe në gjuhën shqipe. Mungesa e formimit të Inspektoratit për zbatimin e ligjit të shqipes, i cili duhet që të shqiptojë edhe dënime ndaj institucioneve që nuk e respektojnë ligjin, ka sjellë këtë gjendje.

Sipas Ligjit, gjitha institucionet obligohen që në afat prej 6 muajsh ti përshtatin të gjitha shërbimet në pajtueshmëri me ligjin, pasi në të kundërtën – institucioni gjobitet me 5 mijë euro, ndërsa zyrtari (udhëheqësi) me 3 mijë euro. Drejtori i Agjencisë për përdorimin e Shqipes, Ylber Sela thotë se Agjencia është duke vepruar sipas planit të paraparë, por se mos formimi i Inspektoratit, i cili është pjesë komplementare e zbatimit praktik të ligjit të gjuhëve, vështirëson edhe punën e tyre.

“Agjencia është duke vepruar ashtu siç është paraparë gjatë themelimit të saj. Problem serioz paraqet mos formimi i Inspektoratit për zbatimin e Ligjit të gjuhëve, për arsye se për të gjithë ata që shkelin ligjin, duhet të ketë sanksione. Gjë për të cilën Inspektorati ngarkohet me Ligj. Në vijim jemi në proces të strukturimit, dhe së shpejti do të shpallim Konkurs për punësimin e 13 punonjësve të ri”, deklaroi për gazetën KOHA, Sela. Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha informon se Ligji për formimin e Inspektoratit është hartuar nga Ministria e Drejtësisë, ka përfunduar debati publik dhe se së shpejti propozimi pritet të kalojë edhe në Qeveri dhe më pas të miratohet në Parlament.

Përndryshe, sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve – që në pesë nenet e para parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë, të cilët ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj të jetë, edhe gjuha që e flasin 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe shkrimi i saj (gjuha shqipe).

GJYQËSORI LARG ZBATIMIT TË SHQIPE

Përveç seancave gjyqësore, konkretisht komunikimit të palëve me gjykatën në seanca, gjuha shqipe vazhdon të mos gjejë zbatim në asnjë institucion gjyqësor në vend. i Gjithë dokumentacioni bëhet vetëm në shqip, ndërsa edhe seancat nga gjykatës shqiptarë udhëhiqen në maqedonisht. “Pala e paditur ose dëshmitarët mund të flasin shqip, sepse kështu ka qenë gjithmonë, por duket se vet gjykatat kundërshtojnë me çdo kusht shqipen. Asnjë dokument nuk del nga gjykata në shqip, apo edhe të hyjë nga palët. Madje, në gjykata as nuk flitet për përgatitje të administratës për implementimin e Ligjit”, thonë të punësuarit shqip në gjykatat e Shkupit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat