Shkup, dilema mbi efikasitetin e Qeverisë pas riformatimit

Maqedonia

Shkup, dilema mbi efikasitetin e Qeverisë pas riformatimit

Më: 24 qershor 2019 Në ora: 10:40
Qeveria

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në dyvjetorin e mandatit po i nënshtrohet riformatimit të parë apo ndërrimit të jo më shumë se tetë ministrive, si të Bujqësisë, Kulturës, Ekologjisë, të Pushtetit Lokal, ministrave pa resor dhe të emërimit të një kuadri në Ministrinë e re për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Kryeministri Zoran Zaev kohë më parë i ka paralajmëruar ndryshimet për shkak të pakënaqësive dhe synimit për rritjen e efikasitetit në punë.

Por, krejt këto ndryshime sa do të sjellin efekte pozitive në punën e ekzekutivit? Njohësit e çështjeve politike kanë qëndrime të ndryshme, disa prej të cilëve riformatimin e shohin edhe si veprim normal, që ndodh në gjysmën e mandatit të qeverive.

“Në të gjitha demokracitë është praktikë që në gjysmën e mandatit të bëhen freskime të caktuara, diku më pak e diku edhe më shumë. Është një periudhë e mjaftueshme kohore për të parë dobësitë apo punën e bërë nga çdo anëtar i Qeverisë. Kjo tani ndodh edhe me kabinetin e kryeministrit Zaev dhe mbetet të shihet nëse ndryshimet do të sjellin ose jo efikasitet në punën e Qeverisë”, thotë Ruzhin duke theksuar edhe faktin se për dallim nga vendet tjera, Maqedonia e Veriut është përballur me sfida të shumta që edhe mund të kenë lëkundur funksionimin e Qeverisë.

“Gjatë kësaj periudhe në Maqedoninë e Veriut janë bërë ndryshime, të cilat ishin edhe euforike dhe me siguri nën presionin e emocioneve po bëhen edhe ndryshimet e para në Qeverinë e kryeministrit Zaev. Të përballur me dobësi të caktuara, por edhe me marrëveshjet si ajo me Greqinë dhe Bullgarinë, konsideroj se Qeveria tani është në kërkim të ideve të reja, të njerëzve të rinj që me energji të reja të vazhdojnë punën e mëtejmë të Qeverisë”, thotë Ruzhin, duke shprehur besimin e vazhdimit të kursit të reformave të nevojshme para së gjitha për integrimin evropian.

Por, nga ana tjetër, Naser Zyberi, njohës i çështjeve politike dhe ish-deputet në disa përbërje parlamentare, nuk pret ndonjë rezultat konkret nga riformatimi i Qeverisë. Ai thotë se koha nuk është e mjaftueshme për të pritur ndryshime në funksionimin me efikas të Qeverisë.

Ai thotë se rezultatet e fundit të zgjedhjeve presidenciale ishin një mesazh i qartë se qytetarët nuk janë të kënaqur me punën e Qeverisë . Partitë në pushtet, 31 gjithsej, me një diferencë të ngushtë fituan opozitën, e cila garoi e vetme në zgjedhje.

“I shtyrë nga ky presion, kryeministri është i detyruar të bëjë riformatimin e Qeverisë, por edhe kjo nuk ka ndonjë garanci se do të japë rezultate të kënaqshme dhe të prekshme, por do të jetë një amortizues i këtij opinion negativ që është krijuar ndaj kësaj strukture qeverisëse dhe me këtë, së paku do të tentojë të ndryshojë imazhin dhe perceptimin e qytetarëve, e jo se do të ketë ndonjë rezultat konkret”, thotë Zyberi.

Ai thekson nevojën për punë më efikase të Qeverisë, e cila, sipas tij, mund të ishte bërë edhe pa riformatimin e saj.

“Vendi ka nevojë për rezultate të prekshme, në planin e integrimit evropian, në NATO dhe në planin ekonomik. Nëse kjo nuk arrihet, riformatimet do të jenë vetëm një shtyrje e një letargjie që mund të ketë rezultat të humbjes së zgjedhjeve”, thekson Zyberi./Rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat