Missiroli pret që deri në tetor Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet me BE-në

Maqedonia

Missiroli pret që deri në tetor Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet me BE-në

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 20:22
Pamje nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot realizoi takim me Antonio Missiroli, zëvendës-sekretar i Përgjithshëm i NATO-s për sfida të reja të sigurisë, i cili qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i Kuvendit, Xhaferi, siç njoftojnë nga kabineti i tij, në fillim të takimit shprehu falënderim të madh për mbështetjen që Aleanca e NATO-s ia jep Republikës së Maqedonisë.

Në këtë proces maratonik nëpër 18 plane vjetore për anëtarësim, tani vendi kalon edhe një maratonë, në procesin e ratifikimit të Protokollit aderues nga ana e vendeve – anëtare. Deri tani, për 4 muaj është ratifikuar nga 18 parlamente dhe me këtë dinamikë, pritet finalizimi i procesit për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO të përfundohet deri në fund të këtij viti.

Kryetari Xhaferi nënvizoi se në të gjitha funksionet e tij të deritanishme shtetërore, ka qenë i inkuadruar në mënyrë aktive në përshtatjen e strukturës shtetërore ndaj standardeve të NATO-s, sidomos në menaxhimin e krizave dhe koordinimin ndërmjet institucioneve në ballafaqimin me sfidat e sigurisë. Kjo nënkupton që Republika e Maqedonisë së Veriut të tregojë gatishmërinë e vet për ti pranuar obligimet nga anëtarësimi në NATO, që nënkupton reforma buxhetore, ushtarake, mbrojtëse, formacioni, organizimi dhe reforma strukturore. Sajber mbrojtja sjell me vete edhe ndryshime përkatëse të rregullores ligjore dhe përshtatje të rregullativës ligjore në këtë sferë, si edhe përforcim real dhe përshtatje edhe të vetë infrastrukturës elektronike, digjitale dhe teknologjike të vetë sistemeve të sigurisë, në mbrojtje, në ushtri, në institucionet shtetërore, sektorin e kundërzbulimit dhe sigurisë nacionale.

Kryetari shprehu pritjen se në këtë procedurë të ndërlikuar do të kemi ndihmë profesionale dhe teknike dhe mbështetje nga strukturat e specializuara të NATO-s, por edhe nga vetë vendet-anëtare të NATO-s, si në mbrojtjen e sistemeve të sigurisë ashtu edhe në aspektin e koordinimit.

Zotëri Misiroli shprehu kënaqësi nga arritjet e deritanishme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në planin e integrimit euroatlantik dhe potencoi se kilometri i fundit i maratonës është veç më i filluar dhe shihet rezultati final – anëtarësimi i plotfuqishëm në Aleancë deri në fund të këtij viti. Njëkohësisht shprehu edhe pritjen se në tetor do të ndahet data për fillimin e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian, me çka vendi do i rrumbullakojë proceset shumëdekadëshe integruese në BE dhe në NATO. E gëzon fakti që institucionet shtetërore tregojnë gatishmëri të madhe që të përgjigjen në mënyrë përkatëse ndaj sfidave të reja të sigurisë dhe kanosjeve hibride, si në sferën ushtarake dhe të mbrojtjes, ashtu edhe në sektorin civil dhe menaxhimin e krizave. Ofroi edhe ndihmë konkrete profesionale dhe mbështetje nga ekipet e specializuara të NATO-s në kuadër të Programit të NATO-s për paqe dhe siguri.

Bashkëbiseduesit biseduan edhe për rëndësinë dhe rolin e diplomacisë parlamentare, për bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar dhe inkuadrimin dhe vizibilitetin e Kuvendit në evenimentet dhe forumet ndërkombëtare parlamentare dhe interparlamentare, si edhe për menaxhimin e suksesshëm të baraspeshës së brendshme ndërmjet forcave politike në vend, e tëra në drejtim të ndërtimit të parlamentit funksional dhe Republikës së fortë dhe prosperuese të Maqedonisë së Veriut, si shtet anëtar i ardhshëm i respektuar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat