Gostivar, 22 vite nga ngjarjet e përgjakshme duke mbojtur flamurin kombëtar shqiptar - Bota Sot
Gostivar, 22 vite nga ngjarjet e përgjakshme duke mbojtur flamurin kombëtar shqiptar

Maqedonia

Gostivar, 22 vite nga ngjarjet e përgjakshme duke mbojtur flamurin kombëtar shqiptar

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 10:40

Sot (9 korrik) mbushen 22 vite nga ngjarjet e përgjakshme të Gostivarit. Tradicionalisht, në këtë ditë përkujtohen dëshmorët.

Sot, duke filluar nga ora 11:00 një delegacion i Komunës së Gostivarit, do të bëjë homazhe tek vendprehja e dëshmorit Nazmi Saliu në Turçan të Vogël për të vijuar pastaj në fshatin Forinë në ora 12:00 tek vendprehja e dëshmorit Shpend Iseini dhe në ora 13:00 në Dobërdoll tek varri i dëshmorit Milaim Dauti.

Paraprakisht, edhe një delegacion i RDK-së do të bëjë homazhe tek varrezat e dëshmorëve të flamurit. Do të fillohet nga vendprehja e dëshmorit Nazmi Saliu në ora 09:00, për të vijuar më pas tek varri I dëshmorit Shpend Iseini në Forinë në ora 09:30.

Kujtojmë si sot, si para 22 viteve, qytetarët shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara godinës komunale për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar, sfidë kjo e cila u shoqërua me ushtrimin e dhunës, forcës dhe shtypjes të shtetit ndaj popullatës shqiptare.

Më 27 Janar të vitit 1997, u ngrit flamuri kombëtar shqiptar, para godinës së komunës së Gostivarit. Por, vendimi për përdorimin e flamurit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Maqedonisë.

U aktivizua edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e cila më 21 maj, 1997, u deklarua se me këtë akt kërcënohej sovraniteti i shtetit dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar.

Më 8 korrik të vitit 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht përdorimi i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve, pra edhe i Flamurit të shqiptarëve, por vetëm për përdorim në dimensionin privat dhe kulturor.

Ky vendim i Kuvendit, u materializua pak orë pas aprovimit të të njëjtit. Manifestimi i protestës nisi si pasojë e heqjes në orën 01:30 të mëngjesit, të datës 9 korrik, të flamurit kombëtar shqiptar nga forcat speciale të policisë.

Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptarë, përfshi këtu edhe kryetarin e atëhershëm të komunës së Gostivarit, Rufi Osmani.

Pasojat e ngjarjeve të përgjakshme të 9 Korrikut ishin tragjike dhe të përgjakshme, u vranë tre shqiptarë, Dr. Shpend Iseini, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti, u plagosën me qindra të tjerë, u keqtrajtua pa mëshirë çdo qytetarë jomaqedonas që gjendej duke lëvizur nëpër rrugë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...