Kodra e Diellit mbetet nën kompetencat e ELEM-it

Maqedonia

Kodra e Diellit mbetet nën kompetencat e ELEM-it

Më: 23 korrik 2019 Në ora: 16:01
Kodra e Diellit-Tetovë

Edhe përkundër premtimeve se ELEM Tursit do t’i merret menaxhimi i pikës turistike Kodra e Diellit për shkak të keqmenaxhimit, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tani pohon të kundërtën. Sipas tij, Kodra e Diellit edhe sivjet do menaxhohet nga ELEM Turs, ndërkohë që premton sërish investime të shumta në këtë pikë turistike.

“Ne si Qeveri, pas përfundimit të rrugës kryesore që lidh Tetovën me Kodrën e Diellit, do fillojmë edhe realizimin në brendi të rrugëve lokale në kodrën e Diellit por jo vetëm. Lifti apo gjashtë ulësja është në përfundim e sipër, të punësuarit në ELEM Turs tanimë janë në trajnim për vendosjen në funksionim të atij ski-lifti”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Ndaj kësaj deklarate të Ministrit Bekteshi, kanë reaguar drejtuesit e nismës “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

“Ka mangësi në pjesën turistike kodra e Diellit tek parkingjet lartë e që ne si nismë kërkonim zgjerimin e saj por ajo nuk bëhet dhe do shohim se si do përfundojë. Pyesim Ministrin Sugarevski a do veprojë njëjtë me kompetencat e komunës së Tetovës që t’ia merr për çështjet urbanistike në Kodrën e Diellit, pra a do merr masa siç merr në komunën e Ohrit sepse gjithë funksionarët e pushtetit të tanishëm atje po bëjnë kërdi”, tha Hamdi Sulejmani, nisma të shpëtojmë Kodrën e Diellit

Nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” vlerëson se asfaltimi i rrugës deri në Kodrën e Diellit, nuk zgjidh problemet e shumta që ka kjo qendër turistike, duke u nisur nga mungesa e kanalizimit, parkingjeve, ndërtimeve të egra dhe infrastrukturës së shkatërruar brenda pikës turistike, e cila nuk është përmirësuar tash e 3 dekada.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat