Grupet në Viber për t’i ikur policisë, flasin nga MPB e Maqedonisë

Maqedonia

Grupet në Viber për t’i ikur policisë, flasin nga MPB e Maqedonisë

Më: 10 gusht 2019 Në ora: 20:25
Toni Angellovski

Rreth 8 mijë persona janë pjesë e një grupi në viber ku ndahen informata për vendndodhjen e patrullave policore të komunikacionit. Kjo me qëllim që shoferët të cilët preferojnë shpejtësinë, të shmangin radarët dhe dënimet. Përveç këtij grupi në viber, ekzistojnë edhe grupe në aplikacione tjera dhe rrjete sociale, që kryejnë të njëjtin funksion, shmangien e policisë. Pavarësisht se kjo gjë nuk është vepër penale, zëdhënësi i policisë Toni Angellovski thotë se kjo dukuri ndikon dukshëm në uljen e sigurisë së komunikacionit.

“Këta viber-grupe për të cilët po pyesni ju dhe sinjalizimi me drita, pra kur shihni polici e më pas i sinjalizoni shoferët e tjerë, në atë mënyrë, i bëjmë shërbim të keq edhe atij që e sinjalizojmë, por edhe vetvetes sepse, ata që nuk i respektojnë rregullat duhet të sanksionohen që të mësojnë në të ardhmen se nuk duhet përsëritë të njëjtin gabim. Përderisa ne paralajmërojmë në këtë mënyrë, e cenojmë sigurinë tonë dhe gjithë pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”, deklaroi Toni Angellovski – Zëdhënës i MPB-së.

“Siguria në komunikacion është punë e policisë, ne sanksionojmë, por është punë edhe e të gjithë qytetarëve sepse të gjithë kontribuojmë që sa më të sigurta të jenë rrugët tona”, tha Toni Angellovski – Zëdhënës i MPB-së.

Përveç evitimit të radarit, informatat për patrullat policore madje mund të përdoren edhe nga trafikantë të ndryshëm për shmangien e kontrolleve. Ndërkaq, me një dukuri të tillë është përballur edhe Kosova. Policia atje ka arrestuar dy personat që menaxhonin me viber-grupin me mbi 14 mijë anëtarë, të cilët ndanin info në lidhje me lokacionin e policisë. Sipas disa statistikave të MPB-së, rreth 140 persona në vit humbin jetën si pasojë e aksidenteve në trafik, ndërsa mbi 6 mijë persona pësojnë lëndime, gjysma e të cilëve lëndohen rëndë apo mbesin edhe me pasoja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat