Pengesa ligjore në pensionimin e gardianëve

Maqedonia

Pengesa ligjore në pensionimin e gardianëve

Më: 16 gusht 2019 Në ora: 23:20
Foto ilustrim

Me probleme financiare, por edhe shëndetësore ballafaqohen gardianët e burgjeve të cilët i plotësojnë kushtet për pension, ndërsa për shkak të një lëshimi, s’mund ta realizojnë këtë të drejtë. Njëri prej tyre para disa ditëve është hospitalizuar. Informatën e konfirmuan kolegët e tij duke thënë se mjekët e kanë njoftuar se bëhet fjalë për depresion për shkak të nervozizmit dhe problemeve kohëve të fundit. Personi në fjalë ka mbetur pa asnjë qindarkë ndërsa nuk ka marrë as rrogë e as pension. Një javë më parë Alsat publikoi problemin e këtyre personave. Për shkak të lëshimit në Ligjin për shqiptimin e sanksioneve, gardianët që i plotësojnë kushtet, nuk mund të dalin në pension. Në tekstin e ligjit nuk është vendosur koeficienti sipas të cilit do të përcaktohet lartësia e pensionit që duhet ta marrin pensionistët.

“Deri në fund të gushtit me këtë problem do të ballafaqohen rreth 50 policë të burgjeve. Në shtator dhe tetor pritet në pension të dalin edhe pesë kolegë me nga 40 vite stazh pune. Ligji nuk është përpunuar mirë dhe tani 50 persona do të duhet të durojnë kështu në rrugë. Koeficienti duhet të përcaktoj kushtet për shkuarje në pension, a duhet të dalë në pension me 10 vitet më të mira, me 85% apo 75%, që të kenë normë elementare për dalje në pension”, tha Kole Ganzovski, gardian burgu.

Drejtori i Drejtorisë për shqiptimin e sanksioneve, Jovica Stojanoviq nuk ishte i kapshëm për deklaratë. Përmes telefonit tha se janë formuar grupe të punës për tejkalimin e problemit. Shton se ligji nuk mund të interpretohet në mënyrë autentike dhe patjetër të kalojë para deputetëve për plotësim. Korrigjime të reja në Ligj mund të ndodhin në shtator, pas pushimeve të deputetëve. Për problemin në fjalë është njoftuar edhe avokati i popullit ndërsa kërkojnë takim me kryeministrin Zaev për t’i treguar personalisht shqetësimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat