Qeveria do t’i dënojë komunat, skadon afati, hiqet “Dielli i Verginës” nga pusetat

Maqedonia

Qeveria do t’i dënojë komunat, skadon afati, hiqet “Dielli i Verginës” nga pusetat

Më: 17 gusht 2019 Në ora: 22:22
Shkupi

“Dielli i Verginës”, respektivisht flamuri i parë i Maqedonisë së pavarur nga kjo javë më nuk do të përdoret në garat sportive, stemat e komunave, monumentet dhe në vendet publike. Këtë e parasheh Marrëveshja e Prespës.

“Pala e dytë nuk do ta përdorë përsëri në çfarëdo lloj mënyre dhe në çfarëdo lloj forme simbolin e paraqitur në flamurin e saj shtetëror. Në afat prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, Pala e dytë do ta nisë procedurën për heqjen e simbolit të paraqitur në flamurin e saj të mëparshëm shtetëror nga të gjitha vendet publike dhe nga përdorimi publik në territorin e saj. Artefaktet arkeologjike nuk janë të përfshira në këtë dispozitë”, thuhet në Marrëveshjen e Prespës në Nenin 8 paragrafi 3.

Me Marrëveshjen e Prespës, Qeveria e Maqedonisë detyrohet ta heqë simbolin e Kutleshit, kurse në përmendoret e asaj periudhe të vendosë tabela në të cilat do të ceket se janë pjesë e historisë dhe qytetërimit antik helen. Qeveria solli vendim me të cilin u ka porositur komunave që ta respektojnë këtë obligim.

“Qeveria u sugjeron njësive të vetëqeverisjes lokale ta respektojnë obligimin e Nenit 8 Paragrafi 3 të Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në Rezolutat 817 (1993) и 845 (1993) të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, për ndërprerjen e vlefshmërisë së Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosjen e një partneriteti strategjik mes palëve, dhe të fillojnë me heqjen e simbolit të Diellit të Verginës nga të gjitha vendet publike dhe përdorimi publik”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Komunat do të duhet t’i ndryshojnë të gjitha shenjat në të cilat figuron Dielli i Kutleshit, kurse për çdo shkelje të ligjit dhe mosrespektim të dispozitave, parashihen sanksione, thotë ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski.

“Unë personalisht nuk e di nëse unë dua ta përdor kush mund të më ndalojë? Me siguri se në oborret në Greqi mund të përdoret gjithçka dhe askush nuk mund ta ndalojë këtë. Njëjtë është edhe këtu, secili mund ta vendosë në pronën e tij private. Kjo nuk është inkuizicion për t’i ndjekur penalisht njerëzit, por institucionet shtetërore duhet ta respektojnë ligjin, kurse për moszbatim të ligjit, kuptohet se do të ketë sanksione”, deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski.

Këtë javë, “Dielli i Verginës”, u zhduk nga pusetat në Sheshin Filipi i Dytë. Kjo shenjë qëndron në monumentet në Qendrën e Shkupit, në pustetat e ujësjellësit, në trotuaret në Shkup dhe në qytetet e tjera të vendit, në sallat sportive dhe fushat, kurse figuron edhe në stemat dhe flamujt e komunave. “Dielli i Vërginës” ishte edhe në qilimin në kabinetin e drejtorit të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi-Shkup”, por i njëjti ishte hequr menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat