Rrëfimi i Tomor Morinës për ndalimin në Maqedoninë e Veriut dhe emrin e tij në listën e veteranëve të rrejshëm - Bota Sot
Rrëfimi i Tomor Morinës për ndalimin në Maqedoninë e Veriut dhe emrin e tij në listën e veteranëve të rrejshëm

Maqedonia

Rrëfimi i Tomor Morinës për ndalimin në Maqedoninë e Veriut dhe emrin e tij në listën e veteranëve të rrejshëm

Më: 18 gusht 2019 Në ora: 15:16
Rrëfimi i Tomor Morinës për ndalimin në Maqedoninë e Veriut dhe emrin e tij në listën e veteranëve të rrejshëm

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut e kanë liruar nga paraburgimi ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morinën. Ai po mbahej me fletë-arrest të lëshuar nga Serbia, nën dyshimin që dy dekada më parë ka kryer krime lufte. Megjithëse Morina është kthyer në Kosovë, pasaporta e tij po vazhdon të mbahet në Gjykatën e Maqedonisë së Veriut. Për këtë, ndalimin e tij e edhe emrin e tij në listën e veteranëve të rrejshëm, Tomor Morina jep detaje për KosovaPress, në intervistën 45/45.

Më shumë se dy dekada më parë, si një djalë i ri, bashkë me disa shokë që sot janë dëshmorë, iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tomor Morina shërbeu në Zonën e Dukagjinit dhe mori pjesë në shumë beteja, por e fundit për të ishte Beteja e njohur e Koshares.

Pas luftës ai migroi në Mbretërinë e Bashkuar ku edhe ndërtoi jetën e tij familjare, duke u bërë shtetas atje.

Megjithatë vizitonte Kosovën, e hera e tij e fundit këtu nuk ishte e zakonshme.

Derisa po shkonte në kryeqytetin e shtetit fqinj, ai u ndalua nga autoritet e Maqedonisë së Veriut, të cilat zbatuan një fletë-arrest të lëshuar nga Interpol, me kërkesë të Serbisë.

Gjatë bisedës me Teuta Gashin, në intervistën 45/45, Morina shpjegon në detaje rastin se si u ndalua atje.

Morina: U ndalova kinse kam kryer krime luftë në Gjakovë në vitin ‘99

“Kam ardh nga Londra, unë jetoj në Angli, kam ardhur në pushim, kisha disa ditë që kisha ardh dhe shkova të marrë një shok në Aeroportin e Shkupit i cili vinte nga Suedia dhe bashkë me një shok tjetër udhëtuam, ndaluam në pikën kufitare në Bllacë, dhe më konfirmohet që kam fletë arrest nga shteti serb. Pastaj filloi arrestimi, ndalesa dhe konfirmimi dhe kështu më dërguan në Shkup, në policinë rajonale, aty më konfirmohet që jam ndaluar nga shteti serb kinse për krime lufte që i kam bërë në Gjakovë në vitin ’99. Jam shtetas i Britanisë së Madhe dhe shtetas i Kosovës, i kam dy shtetësi.

Ai ka udhëtuar vazhdimisht, ka qenë edhe më parë në Maqedoni por nuk ka ndodhur diçka e tillë më herët.

Aktakuza për të ka qenë që ka vrarë shumë njerëz dhe ka djegur shtëpi dy dekada më parë.

Pasaporta e shtetësisë angleze e Morinës vazhdon të jetë të autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Morina: Gjykata në Maqedoni ma kanë ndalë pasaportën britanike

“Ma kanë ndalë dokumentin e udhëtimit, pasaportën britanike atje ma ka ndal gjykata. Tash pres, jam në komunikim me avokatin Naser Raufi, dhe do të shohim çka do të ndodhë. Unë nuk kam me Maqedoni asgjë, këto do t’i rregulloj me anë të ambasadës britanike në Kosovë ose me anë të avokatit në Shkup”, thotë ai.

Morina thotë se derisa ishte në paraburgim është trajtuar mirë dhe në mënyrën më korrekte.

Por tregon se kushtet e burgut atje janë të vështira dhe nuk i plotësojnë kriteret, sidomos për një vend siç është Maqedonia e Veriut.

Tomor Morina është një rast i veçantë. Ai ndodhet në listën e veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, ndërkohë për të është lëshuar fletë-arrest nga Serbia për krime lufte.

Thotë se nuk e di pse ndodhet në listën e veteranëve të rrejshëm, ndërkohë thekson se listat janë fryer dhe për këtë duhet të mbahen përgjegjës edhe komandantët e zonave, edhe vet të gjithë pjesëtarët e UÇK-së.

Morina: Nuk e di pse jam në listën e veteranëve të rrejshëm

“Nuk e di pse jam në listë të veteranëve të rrejshëm, por për fryrjen e listave, nuk është në rregull, nëse nuk ke qenë në lutë nuk ke qenë, ose nëse ke qenë në luftë një ditë ose një javë, ke qenë në luftë, sepse në luftë kur shkon vritesh për një orë ose minutë. Por fryrje të listave ka, ajo është e dëmshme për vet luftëtarët, për shkak se kur fryhet lista, edhe të ardhurat për ata që janë në gjendje të keqe sociale, ju e dini pas luftës ka pasur shumë vetëvrasje të ushtarëve të UÇK-së, ato kanë ndodhë për shkak se ata nuk janë kyçur nëpër parti politike, nuk kanë pasur rrugëdalje, kanë jetuar në mënyrë të keqe, kanë qenë të anashkaluar, prej të gjitha qeverive. Është dashur më bë më shumë për veteranët e luftës, me zbutë varfërinë”, thotë ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...