Ligji për gjuhët, Qeveria me program për vetëdijesimin e qytetarëve

Maqedonia

Ligji për gjuhët, Qeveria me program për vetëdijesimin e qytetarëve

Më: 24 gusht 2019 Në ora: 17:06
Shkupi

Shtatë muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka filluar përgatitjen e programit që ka për qëllim promovimin e përdorimit të gjuhëve zyrtare, pasi kjo parashihet në nenin 21 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të këtij ligji do të marrin masa për të promovuar përdorimin e të gjitha gjuhëve zyrtare, si dhe për të garantuar mbrojtjen e gjuhëve të bashkësive të tjera, gjuha amtare e të cilave nuk është gjuhë zyrtare”,  thuhet në Nenin 21.

Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha, thotë për Alsat se programi që po përpilohet nga grupi i punës me të cilin udhëheq zëvendës sekretari i qeverisë, Tahir Hani, synon rritjen e vetëdijes tek qytetarët për përdorimin e gjuhëve zyrtare. Ndërsa, sa u takon institucioneve, këto të fundit i detyron vet ligji që gjatë punës së tyre të përdorin edhe gjuhën shqipe.

“Deri në formimin e Inspektoratit është grupi ndër resorësh në kuadër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që ndjek ndihmon dhe koordinon zbatimin e dispozitave të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ashtu siç e parasheh ligji, të gjitha institucionet që nuk e zbatojnë në praktikë ligjin për përdorimin e gjuhëve do të sanksionohen ashtu siç e parashikon ligji”, u shpreh Muhamed Hoxha- zëdhënës i Qeverisë.

Pavarësisht kësaj, shumë institucione në vend ende nuk kanë filluar më respektimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa disa të tjera diçka të tillë e bëjnë pjesërisht. Ato duhet që më së voni një vit nga hyrja në fuqi e ligjit të mësipërm, të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore t’i kenë edhe në gjuhën shqipe, ndërsa sipas pikës 4 të nenit 6 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të njëjtat duhet të zbatojnë dygjuhësinë edhe në faqet e tyre zyrtare në internet. Se sa institucionet në vend respektojnë gjuhën shqipe do të dihet më së miri pas formimit të Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve, ligji për themelimin e të cilit është dërguar në Kuvend. Inspektorati duhet të fillojë të funksionojë plotësisht më së voni një viti nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat