Autostrada Shkup-Bllacë, tenderi anulohet vazhdimisht

Maqedonia

Autostrada Shkup-Bllacë, tenderi anulohet vazhdimisht

Më: 15 shtator 2019 Në ora: 16:13
Ilustrim

Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore dy herë është duke e anuluar afatin për dorëzimin e ofertave për ndërtimin e aksit të parë të autostradës Shkup- Bllacë, në gjatësi prej 2.5 kilometrave. Arsyetimi këtë herë është se shtyrja është për shkak të interesit të madh të kompanive ndërtimore për realizimin e punimeve. Por, ekspertët nga fusha e prokurimeve publike thonë se thirrja publike deri më tani është anuluar dhe përsëri është publikuar vetëm nëse ka pasur ndryshim në dokumentacionin e tenderit, e jo për rast të këtillë.

“Anulimi i këtillë i afateve pa kurrfarë ndryshimi në dokumentacionin e tenderit, me sa e kuptova, vetëm që të lihet kohë që të përgatiten ofertuesit, me të vërtetë është e pakuptimtë. Dhe mendoj se nuk dërgon sinjal të mirë deri tek ofertuesit potencial”, tha Sabina Fakiq, Qendra për komunikime civile.

Afati për dorëzimin e ofertave nga kompanitë ndërtimore fillimisht u caktua për në 4 shtator, i njëjti u anulua për më datën 12 shtator, ndërsa tani nga Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore njoftojnë se afati tani është 23 shtatori. Në shkresën deri tek televizioni Alsat, nga ky institucion konfirmuan se ka pasur kompani vendore dhe të huaja që kanë interes të punojnë në aksin e parë të autostradës Shkup- Bllacë, por nuk e kanë ditur numrin e tyre.

“Ju njoftojmë se deri në momentin e hapjes së ofertave, nuk kemi njohuri cilat dhe sa kompani do të marrin pjesë në prokurimin konkret publik. Afati për përfundimin e punimeve ndërtimore të aksit të parë është 18 muaj nga dita e lidhjes së Kontratës me kompaninë ndërtimore”, thonë nga Ndërmarrja publike e rrugëve shtetërore.

Në ndërkohë, në Kosovë më 29 maj të këtij viti u lëshua në përdorim autostrada “Arbër Xhaferi”, e cila fillon nga Prishtina dhe mbaron deri në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Bëhet fjalë për aks prej 65 kilometrave. Dhe përderisa me dekada tek ne pritet fillimi i punimeve ndërtimore për vetëm 2.5 km nga autostrada deri në Bllacë që nuk pritet të jetë më e gjatë se 13 kilometra, ofensivë ndërtimore drejt Maqedonisë po zhvillon Shqipëria fqinje. Autoritetet atje paralajmërojnë se edhe qyteti i Tiranës së shpejti pritet të lidhet me vendin me autostradës përmes “Rrugës së Arbrit”, që pritet të hyj në Dibër. Pritet të jetë gati deri në vitin 2021, ku nga Tirana deri në Dibër pritet që udhëtimi të shkurtohet për rreth 100 km.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat