Grubi: Vetingu është i patjetërsueshëm në politikë dhe drejtësi

Maqedonia

Grubi: Vetingu është i patjetërsueshëm në politikë dhe drejtësi

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 12:58
Artan Grubi

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka thënë se Shkupi pret vendim pozitiv në muajin tetor lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Sipas tij vendi e meriton një vendim të tillë, pasi i ka bërë detyrat e shtëpisë, duke përmendur ndër të tjera zgjidhjen e konfliktit të gjatë me Greqinë fqinje lidhur me çështjen e emrit.

Ai mes tjerash ka thënë se vetingu është i patjetërsueshëm si në politikë ashtu edhe në drejtësi.

“Jemi dëshmitarë të një propagande të përditshme ndaj politikanëve, gjykatësve, prokurorëve rreth korrupsionit të të gjitha këtyre institucioneve. Dolëm me një ide që të propozojmë një proces dy hapësh të vetingut në Maqedoni të Veriut që ua kemi propozuar partive politike, tashmë vlerësoj se arritëm deri te një mirëkuptim nga e dy partive kryesore maqedonase dhe pas, (shpresoj) marrjes së datës për fillim të datës në mes të tetorit, do të procedojmë me procesin parlamentar të miratimit të këtyre dy ligjeve”, ka thënë deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Sipas tij, pritshmëritë në Shkup, sa i takon fillimit të bisedimeve me BE-në, “janë vazhdim i ëndrrës euroatlantike për vendin, por edhe për Ballkanin Perëndimor”.

“Realizuam të gjitha pritshmëritë e miqve tanë ndërkombëtar në Uashington dhe Brukselin duke zgjidhur çështjen emrit, duke ndryshuar Kushtetutën, duke mbyllur kontestin trekadësh me Greqinë, duke mbyllur kontestin dykadësh me Bullgarinë dhe duke mbyllur pjesën normative të Marrëveshjes paqësore të Ohrit me rrumbullakimin e barazisë gjuhësore përmes miratimit të ligjit të gjuhëve. Me ndihmën e opozitës miratuam edhe një sërë ligjesh reformuese veçmas në gjyqësor, fushën e Antikorrupsionit dhe vlerësoj se gjitha detyrat tona, si detyra shtëpie nga ana e Brukselit i kemi plotësuar dhe meritojmë bashkë me Shqipërinë pse jo, marrjen e datës në mesin e tetorit”, ka thënë Grubi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat