Thaçi: Pa regjistrim, i kotë debati për njësitë zgjedhore

Maqedonia

Thaçi: Pa regjistrim, i kotë debati për njësitë zgjedhore

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 16:01
Menduh Thaçi

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, duke komentuar zhvillimet e fundit rreth debatit se sa njësi zgjedhore duhet të ketë Maqedonia e Veriut, ka thënë se fillimisht me rëndësi është që të mbahet regjistrimi i popullsisë.

“Ka dilema, dyshime nga të dyja anët, por megjithatë këtu problemi më i madh është regjistrimi i popullsisë dhe ne bashkërisht duhet të kuptojmë se pa numërim të popullsisë nuk mund të ketë sistem zgjedhor të besueshëm. Megjithatë, kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe nuk shoh në horizont seriozitet në aspekt të Regjistrimit të Popullsisë. Besoj që është momenti që, në kuadër të dialogut mes pushtetit dhe opozitës, shqiptarët të insistojnë që kjo pikë të jetë pjesë e rendit të ditës”.

“I dini vërejtjet e shqiptarëve, i di publiku prej vitit 90-ta, si duket neve nga disa truqe të ndryshme statistikore pa mundësohet që përfaqësimi ynë në nivele të institucioneve të mos jetë adekuat. Mendoj që regjistrimi është baza ku duhet të niset, një regjistrim i besueshëm ku do të marrin pjesë institucionet, pushteti dhe opozita dhe sigurisht me një pjesëmarrje aktive përmes monitoringut të bashkësisë ndërkombëtare, pjesëmarrje aktive në të gjitha instancat e regjistrimit, secila parti mund të ketë propozimin e vet, por unë mendoj që më e rëndësishmja është këtu që sistemi zgjedhor të reflektoj përqindjen etnike të popullsisë së shtetit, e pastaj partitë politike të mund t’i harmonizojnë qëndrimet”, tha Thaçi.

Ndryshe, ditëve të fundit është hapur debati për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndërsa partia maqedonase “Lidhja Demokratike” e Pavle Trajanovit, do të dorëzojë iniciativë në Kuvend, për një njësi zgjedhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat