Makraduli në Stamboll, tregon planin e Maqedonisë së Veriut për ndotjen e ajrit

Maqedonia

Makraduli në Stamboll, tregon planin e Maqedonisë së Veriut për ndotjen e ajrit

Më: 23 shtator 2019 Në ora: 20:35
Jani Makraduli

Zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, sot dhe nesër merr pjesë në Kongresin e 18-të Botëror për ajër të pastër (WCAC), i cili prej 23 deri 27 shtator mbahet në Stamboll, Republika e Turqisë.

Në kuadër të sesionit të sotëm “Sfidat dhe mundësitë në menaxhimin e cilësisë së ajrit në Evropë dhe Azinë Qendrore”, Makraduli para të pranishmëve ka mbajtur fjalim.

Duke folur për sfidën globale të përballjes me ndotjen e ajrit, ai në fjalimin e tij foli për zbatimin e planit të ajrit të pastër si dhe për sfidat me të cilat përballet vendi në drejtim të përmirësimit të cilësisë së ajrit.

Në kuadër të Kongresit Botëror për ajër të pastër, numri dy i Ekologjisë zhvilloi një takim pune me drejtorin e përgjithshëm të Bashkimit Ndërkombëtar të shoqatave të parandalimit të ndotjes së ajrit (IUAPPA), Richard Mills, në të cilin u ra dakord për nënshkrimin e një protokolli për pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut si anëtare të Unionit.

Kongresi Botëror për ajër të pastër synon të sigurojë një platformë botërore përmes së cilës do t’u mundësohet shkencëtarëve, politikëbërësve dhe biznesmenëve të diskutojnë njohuritë më të përparuara shkencore dhe përparimet më të fundit dhe zgjidhjet teknike për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Kongresi Botëror për ajër të pastër (WCAC) është organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i shoqatave të parandalimit të ndotjes së ajrit (IUAPPA), me mbështetjen e Federatës Evropiane të ajrit të pastër (EFCA) dhe Federatës së ajrit të pastër në Azi (CAA) të mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), Konventa për ndotje tejkufitare të ajrit në distanca të gjata (LRTAP), Koalicioni për klimë dhe ajër të pastër (CCAC) dhe institucione të tjera kryesore që ofrojnë ndihmë dhe bashkëpunim ndërkombëtar në luftën kundër ndotjes së ajrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat