Paradokset e industrisë në Maqedoni: Rritet prodhimtaria, ulet numri i punëtorëve - Bota Sot
Paradokset e industrisë në Maqedoni: Rritet prodhimtaria, ulet numri i punëtorëve

Maqedonia

Paradokset e industrisë në Maqedoni: Rritet prodhimtaria, ulet numri i punëtorëve

Më: 23 shtator 2019 Në ora: 20:38
Ilustrim

Të dhënat statistikore tregojnë se në Maqedoninë e Veriut për një vit është ulur numri i punëtorëve në industri nga njëra anë, ndërsa shënohet rritje e prodhimtarisë industriale, në anën tjetër, shkruan gazeta Koha.

“Numri i punëtorëve në sektorin e xehetarisë në korrik të vitit 2019 në raport me muajin korrik të vitit 2018, shënon ulje prej 2.1 për qind, në industrinë përpunuese në këtë periudhë shënohet ulje prej 2.6 për qind, ndërsa në sektorin e furnizimit me energji shënohet ulje prej 0.3 për qind”, tregojnë të dhënat e fundit të Entit të Statistikës.

Shikuar sipas sektorëve, prodhimtaria industriale në sektorin e xehetarisë në korrik të këtij viti, në raport me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, shënon rritje prej 15.7 për qind, në sektorin e industrisë përpunuese shifrat mbeten të pandryshuara, ndërsa në sektorin e furnizimit me energji elektrike dhe gaz, shënohet rritje prej afër 52 për qind.

Nëse krahasohet raporti midis rritjes së prodhimtarisë dhe uljes së numrit të punëtorëve në fabrika, është e pritshme që me më pak punëtorë të ketë më shumë prodhim, apo të kemi rritje të produktivitetit të punëtorëve në nivel vendi. Ekonomistët thonë se vetëm në bazë të këtyre të dhënave është vështirë të analizohet një çështje aq komplekse siç është produktiviteti i punëtorëve në shtet që megjithatë varet nga më shumë faktorë.

“Rritja nuk është edhe aq inkurajuese nëse marrim parasysh faktin se në këtë rritje të prodhimtarisë megjithatë më shumë marrin pjesë sektorë të tillë siç është prodhimtaria e energjisë elektrike nga hidrocentralet e cila në fakt varet nga reshjet e bollshme të shiut si dhe ruajtja apo jo e ujit për prodhimin e rrymës si dhe kapacitetet e tjera të prodhimit të rrymës të bazuara në qymyr nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër kemi status quo apo fare nuk ka ndryshuar apo lëvizur prodhimtaria industriale në shtet”, komentojnë ekonomistët ecuritë e fundit të prodhimtarisë industriale në raport me numrin e punëtorëve të angazhuar në kapacitetet e ndryshme prodhuese në shtet.

Në ndërkohë edhe analizat e institucioneve relevante ndërkombëtare tregojnë se mbetet një çështje që kërkon më shumë vëmendje dhe përkujdesje nga të gjithë faktorët, problemi i produktivitetit dhe kapitalit njerëzor në Maqedoninë e Veriut.

“Produktiviteti i ulët i kompanive vendore, niveli i ulët i zhvillimit të kapitalit njerëzor, mos harmonizimi midis shkathtësive dhe ndryshimeve në kërkesën e tregut të punës, pengesat e politikave publike në raport me konkurrencën dhe investimet si dhe administrata e dobët publike”. Këto vlerësohen të jenë sfidat kryesore për rritjen e ekonomisë së shtetit, andaj edhe Banka Botërore në raportin e fundit ka kërkuar përshpejtimin e reformave ekonomike në shtet.

Ndryshe, të dhënat tregojnë se si shtet renditemi ndër të fundit në Evropë lidhur me produktivitetin e punëtorëve me 43 për qind të mesatares që e realizojnë punëtorët në Evropë për një orë pune. Me këtë renditemi njëjtë si Bullgaria, mirëpo jemi shumë larg punëtorëve të Luksemburgut që kanë 163 për qind të mesatares evropiane, të punëtorëve zviceran me 122 për qind të mesatares evropiane dhe punëtorëve të Norvegjisë me 152 për qind të mesatares evropiane. Punëtorët në Rumani kanë 56 për qind, në Kroaci 73 për qind, në Slloveni afër 80 për qind dhe në Greqi kanë 87 për qind të produktivitetit mesatar evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...