U miratua ribalanci i buxhetit të Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

U miratua ribalanci i buxhetit të Maqedonisë së Veriut

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 20:23
Foto ilustrim

Me 56 vota ‘për’ u miratua ribalanci i Buxhetit për vitin 2019, pas debatit prej 10 ditëve në Komisionin për Financa dhe Buxhet.

Në versionin final u pranuan edhe 57.4 milionë denarë amendamente gjithsej nga deputetët Kuvendit.

“Ky ribalanc ndaj qytetarëve siguron mbështetje për paga më të larta për punonjësit e sektorit privat, paga më të larta për punonjësit e administratës publike, më shumë fonde për të mbështetur masat aktive të punësimit për qytetarët e papunë dhe më në fund, në më pak se tre muaj, qytetarëve do ju kthehen paratë e para përmes projektit TVSH-ja ime”, deklaroi zv. ministrja e financave, Shirete Elezi.

Të ardhurat totale me ndryshimet në Buxhetin për vitin 2019 janë planifikuar në nivelin prej 210.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet totale përcaktohen në 228.2 miliardë denarë.

Ndryshimet në Buxhetin e vitit 2019, mes tjerash sigurojnë edhe mjete shtesë në vlerë prej 240 milionë denarë për sistemin gjyqësor, respektivisht për gjykatat dhe prokuroritë, me qëllim të përforcimit të gjendjes financiare dhe zgjidhjes së çështjes lidhur me pagesën e shtesave për punëtorët në këtë sektor.

Janë paraparë edhe mjete për kthimin e një pjesë të tatimit të vlerës së shtuar kundrejt personave fizikë në vlerë prej 300 milionë denarësh.

Qëllimi i ribalancit të Buxhetit për këtë vit është që të bëhen korrigjime në pjesën e harxhimeve, me qëllim të sigurimit të mbështetjes financiare për komunat dhe përforcimin e Fondeve të Sigurimit Shëndetësor, Sigurimit pensional dhe invalidor dhe Agjencisë për Punësim.

“Mjete sigurohen edhe për funksionimin pa pengesa të Agjencisë së re për Siguri Kombëtare, në vlerë prej 99 milionë denarë, sigurimin e mjeteve shtesë në vlerë prej 560 milionë denarë (ndërsa në pjesën e parë të vitit me rialokimin e mjeteve në vlerë prej 355 milionë denarë) si mbështetje e drejtpërdrejtë për bujqësinë dhe menaxhimin me murtajën afrikane te derrat, mjetet për sistemet kolektore për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, si mbështetje për angazhimin e pushtetit qendror dhe lokal për përmbushjen e rekomandimeve të UNESKO-s”, njoftuan nga Qeveria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat