Jo e BE-së - Si reagoi Shkupi

Maqedonia

Jo e BE-së - Si reagoi Shkupi

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 23:41
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev nuk ka dhënë dorëheqje pas dështimit për marrjen e datës për hapjen e negociatave me BE-në, pavarësisht lajmeve të rreme që qarkullojnë në disa media vendase dhe ndërkombëtare.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka kërkuar konsultime në qeveri dhe ka mbledhur gjithë formacionin e tij qeveritar, për të diskutuar se çfarë hapash do të ndërmarrin tani pas dështimit për marrjen e datës për negociatat e antaresimit me BE-në. Janë duke u zhvilluar konsultime politike në disa nivele, po shqyrtohen dhe analizohen të gjitha opsionet, thonë nga qeveria lidhur me hapat e ardhshëm që do të ndërmerren pas takimit të liderëve të BE-së në Bruksel.

Pendarovski: Tani na duhet unitet

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski në fjalimin e tij drejtuar popullit tha, se fatkeqësisht pritshmëritë tona nuk janë në përputhje me vendimin e Këshillit Evropian në lidhje me marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Pendarovski mes të tjerash theksoi, se vendi duhet të vazhdojë reformat dhe se nuk kemi nevojë  vetëm për formalitete. Sipas Pendarovskit  për mos-marrjen  e datës nuk duhet të fajësohen anëtarë të caktuar të Unionit dhe se është koha për unitet politik. Presidenti theksoi se të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara deri më tani duhet të vazhdojnë të zbatohen. Ai konfirmoi takimin me liderët e partive më të mëdha në vend për ditën e diel (20.10) dhe tha se tashmë të gjithë liderët kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

"Reformat në shumë sfera duhet të vazhdojnë. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet vazhduar. Standardet evropiane janë edhe standarde tona. Reformat e brendshme duhet të vazhdojnë, sepse janë kushte për kohezion të brendshëm dhe stabilitet të brendshëm. Në emër të ardhmërisë së vendit tonë u bëj thirrje të gjithë liderëve partiakë që të lenë anësh inatet politike, sepse jam i bindur që pikërisht tani kemi nevojë për unitet. Andaj kam thirrur mbledhjen e liderëve, për të dielën më 20 tetor”, është shprehur Pendarovski.

VMRO-DPMNE: Fajtor për mosmarjen e datës është Zaevi

Analiza dhe konsultime po bëhen edhe në partitë politike, partitë opozitare kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski ka thënë, se  Franca nuk është fajtore për mosmarrjen e datës, por krimi dhe korrupsioni.

"Vendimi i tillë për mosmarrjen e datës është dështim, por jo dështim i popullit maqedonas dhe qytetarëve të Maqedonisë. Është dështim i politikave të Zoran Zaevit dhe këtij pushteti. Është politika, pa koncept, pa vizion me shumë krim, korrupsion, haram, mos punimi dhe mashtrim. Dhe patjetër të jemi vetëkritik dhe të pranohet se nuk ka datë për fillim të negociatave sepse nuk ka reforma, sepse populli jeton me vështirësi dhe nuk ka shtet tjetër ku krimi sundon me sistemin”, ka deklaruar Hristijan Mickovski kryetar i  VMRO-DPMNE.

Sela: Zgjedhjet e parakoshme janë domosdoshmëri

Kryetari i "Aleancës për shqiptarët” Ziadin Sela ka thënë se përveç LSDM-së dhe kryeministrit Zoran Zaev, përgjegjësi për mosmarrjen e datës kanë edhe partnerët e koalicionit qeveritar.

"Ata zgjodhën krimin dhe korrupsionin në vend se të zgjedhin progresin, të drejtën dhe BE-në. Ata zgjodhën Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kriminelët e mëdhenj e të vegjël të tyre në vend që të zgjedhin progresin dhe ardhmërinë e rinisë. Arsyetimi i kryeministrit dikur që nuk duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, sepse presim datë për bisedime u tregua sot që ka qenë i gabuar, sepse sa më gjatë që ta kesh BDI-në brenda në qeveri, veç se mund të bëhesh si ata dhe nuk mund që të reformosh sistemin e drejtësisë”, ka komentuar Ziadin Sela kryetar i "Alenaca për Shqiptarët”.

Kasami: Do të bëjmë presion për zgjedhje të parakohshme

Kreu i Lëvizjes BESA Bilall Kasami vlerëson, se zgjedhje të parakohshme parlamentare do të kërkojnë edhe në takimin me presidentin Stevo Pendarovski.

" Nëse ata nuk kanë guxim që të japin dorëheqje dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, sigurisht që Lëvizja BESA do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat institucionale dhe të gjitha mekanizmat e një demokracie evropiane, siç pretendojmë të jemi, duke shfrytëzuar edhe mekanizmin e protestës që të bëjmë presion për zgjedhjet e parakohshme”, thotë Bilall Kasami kryertar i Lëvizjes BESA.

Opozita kërkon gjithashtu edhe formimin e qeverisë teknike, konform marrëveshjes së Përzhinës./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat