Qeveria i shmanget kërkesës së Lëvizjes Besa për letërnjoftimet

Maqedonia

Qeveria i shmanget kërkesës së Lëvizjes Besa për letërnjoftimet

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 15:33
Ilustrim

Kryeministri Zoran Zaev i shmanget kërkesës së kreut të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami për ndryshime në Ligjin për dokumentet personale në përputhje më marrëveshjen për vendosjen e grafës etnike në letërnjoftime. Zaev nuk tregoi se për cilat arsye në propozim nuk është futur kërkesa e Lëvizjes Besa e cila kushtëzoi ndryshimet kushtetuese me vendosjen e grafës së përfaqësisë etnike. I pari i Qeverisë tha shkurt se ligjet mund të ndryshohen në kohë të caktuar dhe se për këtë nuk duhet ekzistuar dilema.

“Për gjithçka që jemi marrë vesh tashmë është pjesë e ligjeve, Kushtetutës dhe ndryshimeve që jemi pajtuar. Sigurisht që ligjet ndryshojmë në kohë të caktuar, në afate të parapara dhe në atë mënyrë do të zbatohen. Nuk duhet pasur dilema”, tha Zoran Zaev.

Lëvizja Besa edhe njëherë i kujtoi kryeministrit Zaev marrëveshjen e arritur më 11 janar 2019. Në kumtesën e Qeverisë të datës 11 janar mes tjerash thuhej se përveç amendamentit që shtetësia për shqiptarët të jetë “qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ndryshime të ketë edhe në Ligjin për dokumentet personale.

“Në mënyrë plotësuese në Ligjin për letërnjoftime do të shënohet edhe përkatësia etnike e qytetarëve”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Në një reagim të ri të lëvizjes Besa thuhet se nëse kryeministri Zaev nuk e tërheq propozimin nga procedura parlamentare do të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat demokratike për bllokimin e tij. Në propozimin që Qeveria ka dorëzuar në Kuvend, ndryshimet parashikojnë përshtatjen e Ligjit për dokumente me ndryshimet e fundit të Ligjit për kundërvajtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat