Varhelyi konsideron se Shkupi dhe Tirana duhet të fillojnë negociata para majit

Maqedonia

Varhelyi konsideron se Shkupi dhe Tirana duhet të fillojnë negociata para majit

Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 12:10
Oliver Varhelyi

Kandidati për komisar për zgjerim dhe politikë fqinjësore, hungarezi Oliver Varhelyi, dy orë e gjysmë u dëgjua dhe vlerësua nga eurodeputetët për aftësinë e tij për ta kryer këtë funksion në pesë vitet e ardhshme.

Në fjalën e tij hyrëse, Varhelyi theksoi se ambicia e tij është të arrijë t’i bindë vendet anëtare se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria t’i fillojnë negociatat për anëtarësim me BE-në para Samitit BE-Ballkan perëndimor në Zagreb, të caktuar për në maj.

Varhelyi theksoi se tre vende anëtare e frenojnë procesin, e ato janë Franca, Holanda dhe Danimarka. Ai qëndroi pas perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe shfaqi shpresë se, nëse konfirmohet nga Parlamenti evropian, deri në fund të mandatit të tij pesëvjeçar Shkupi dhe Tirana do të jenë të kyçura tashë thellë në negociatat me BE-në.

Specifike për Maqedoninë e Veriut, hungarezi përkujtoi se liderët evropianë masovikisht e vizitonin Shkupin para referendumit për Marrëveshjen me Greqinë dhe i premtuan vendit se nëse referendumi do të ketë sukses, negociatat do të hapen.

“Ajo që është në pyetje këtu është kredibiliteti i BE-së në rajon dhe më gjerë”, deklaroi Oliver Varhelyi.

Kandidati për trashëgues të Johanes Hanit konfirmoi se për të, gjithashtu, zgjerimi dhe thellimi i Bashkimit Evropian janë procese të cilat mund të shkojnë paralelisht.

Koordinuesit e grupeve parlamentare gjatë ditës së sotme do të duhet të arrijnë marrëveshje për kandidaturën e Oliver Varhelyi, vendimi pritet gjatë ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat