Maqedonia e Veriut: Vjetërsimi i lëndëve shihet si amnisti e heshtur

Maqedonia

Maqedonia e Veriut: Vjetërsimi i lëndëve shihet si amnisti e heshtur

Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 20:50
Ilustrim

Proceset e stërzgjatura gjyqësore që çojnë në vjetërsimin e lëndëve të cilat i ka ngritur Prokuroria Speciale Publike në Maqedoninë e Veriut, paraqesin një amnisti të heshtur për krimin në nivele të larta, theksojnë njohësit e çështjeve juridike.

Pasi gjykata ka konstatuar se është vjetërsuar lënda, ka shpëtuar nga ndjekja ish-kryeministri Nikolla Gruevski për rastin që në opinion është i njohur si “Trajektorja” që ka të bëjë me keqpërdorimet gjatë ndërtimit të autostradave .

Kjo lëndë nuk arriti të marrë epilog gjyqësor edhe pas 33 seancave gjyqësore ndërkohë që tani të gjitha shpenzimet gjyqësore obligohet t`i mbulojë shteti.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se pos dëmit material për procesin gjyqësor të dështuar dhe moskthimin e parave të vjedhura, goditja më e fuqishme i jepet besueshmërisë në sistemin gjyqësor.

Besim Nebiu, aktivist për të drejtat e njeriut, thotë se në asnjë mënyrë s’mund të flasim për funksionim të shtetit të së drejtës përderisa bie poshtë lënda e cila paraqet procesin më të madh gjyqësor për korrupsion të lartë në historinë e Maqedonisë së Veriut, si për nga vlera e parave që sipas Speciales, të akuzuarit buxhetit të shtetit i shkaktuan dëm prej së paku 155 milionë euro.

“Mënyra se si përfundoi ky proces, paraqet një fiasko tejet dëshpërues për faktin se në një far mënyre krijon dhe motivim dhe inkurajim për politikanët, përkatësisht zyrtarët e sotëm dhe ata të nesërm që të mos brengosen nga pasojat e sjelljes korruptive”.

“Në të njëjtën kohë kur e dimë se llogaritë e papaguara të qytetarëve nuk vjetërsohen përderisa veprat penale me llogari miliona euro vjetërsohen, krijohet përshtypje se klasa politike e ka dizajnuar sistemin e ligjeve që ta mbrojë vetveten nga shteti ligjor”, theksoi Nebiu.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se sa më parë duhet të pësojnë ndryshime ligjet që veprat që ndërlidhen me korrupsionin të mos kenë afat vjetërsimi dhe për personat zyrtarë të përfshirë në korrupsion dhe vepra kriminale shkalla e dënimeve të jetë më e lartë.

Natali Petkoska nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, thotë se për fat të keq përsëritet praktika nga e kaluara ku përmes zvarritjes së proceseve gjyqësore, korrupsioni në nivele të larta mbetet i pandëshkueshëm.

“E gjithë çështja qëndron në menaxhimin apo mosmenaxhimin e proceseve gjyqësore nga ana e gjykatave dhe bashkëpunimi me palën mbrojtëse dhe prokurorinë. Nëse cilado qoftë palë në këto raste synon prolongimin e procesit duke shfrytëzuar mekanizmat legjitim, ka gjasa reale që lëndët të vjetërsohen dhe të mos marrin epilog gjyqësor”, thotë Petkoska.

Nga ana tjetër, Aleksandar Tortevski, avokat, thotë se hise të madhe të fajit ka Prokuroria e cila nuk ka arritur që në kohë të nxjerrë para gjykatës të gjitha dëshmitë që i akuzuari të përgjigjet para drejtësisë, në rastin konkret ish zyrtarë të lartë të shëtit.

‘Nëse do të kishim institucione të vërteta funksionale në sistemin e drejtësisë kjo lëndë dhe të tjerat në asnjë mënyrë nuk do të mund vjetërsohej përkatësisht të vjetërsoheshin. Duket qartë se punën nuk e kanë kryer si duhet as prokurorët, por as organet e tjera të sistemit të drejtësisë“ thotë Tortevski.

Ndryshe, ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, tanimë më shumë se një vit gjendet në Budapest ku fitoi edhe azil politik.

Drejtuesit e institucioneve të shtetit akoma nuk kanë dhënë detaje rreth arratisjes së tij në Hungari, në kohën që ai duhet të vuante burgun prej 2 viteve e gjysmë që i kishte shqiptuar gjykata për një rast tjetër që kishte ngritur Prokuroria Speciale./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat