Maqedoni, vdekja e 22-vjeçarit në burg, autopsia pas 15 ditësh - Bota Sot
Maqedoni, vdekja e 22-vjeçarit në burg, autopsia pas 15 ditësh

Maqedonia

Maqedoni, vdekja e 22-vjeçarit në burg, autopsia pas 15 ditësh

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 22:26
Ilustrim

Kjo ishte qelia ku dha frymën e fundit Labinot Misini. Në Burgun e Kumanovës i kishin mbetur edhe tri javë për të kryer dënimin prej 1 viti që po vuante nga Burgu i të miturve në Ohër, prej ku u soll para 10 ditësh. Një muaj më parë Prokuroria Publike hapi hetimin se në Qendrën e riedukimit në Ohër, të burgosur të moshës minorene janë mbi dozuar me pilula qetësuese. Familjarët dyshojnë se arsyeja që djali i tyre 22 vjeç humbi jetën është pikërisht varësia nga kjo terapi e fortë anti depresive.

Ndërkaq, shkaku i vërtetë i vdekjes së Labinotit do të mësohet nga rezultatet e autopsisë, të cilat pritet të dalin pas 15 ditësh, thanë nga Instituti i mjekësisë ligjore. Deri atëherë, prokuroria ka hapur hetimin, të cilës iu janë dhënë të gjitha provat, thonë nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve.

“Policia e burgut në orën 7.30 të mëngjesit të së dielës gjeti pa shenja jete personin L.M. i cili ishte i vetëm në qeli të katit të parë, i shtrirë në krevat në pozicion sikur po flinte. Është më rëndësi të thuhet se gjatë inspektimit të kamerave të sigurisë u konstatua se gjatë natës askush nuk ka hyrë në qelin e tij. Përball saj është dhoma e rojeve, por asnjëri nuk ka vërejtur diçka të jashtëzakonshme”, shprehen nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve

Lidhur me këtë rast, Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi penale nga autoritetet. Sipas kësaj partie, edhe pse në Kodin penal nuk është i paraparë dënimi me vdekje, të privuarëve nga liria po u shkaktohet vdekja, siç thonë nga kushtet mizore nëpër burgjet e shtetit.

“Aleanca për Shqiptarët kërkon dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë Renata Deskoska, për mos mbajtje të përgjegjësisë morale për vdekjen e të riut në Kumanovë, si dhe mos sigurimin e të drejtave bazë të të burgosurve në burgje. Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi nga Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe për mos sigurimin e të drejtës shëndetësore të burgosurve. Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi nga Ministri i Arsimit Arbër Ademi për mos ofrimin e kushteve mësimore për edukim të të burgosurve- tha Faruk Avdiu, Aleanca për Shqiptarët.

Pas obduksionit, trupi i të ndjerit sot iu është dorëzuar familjarë në Kumanovë, ku edhe është bërë varrimi i tij. Familjarët bëjnë thirrje, që hetimi të zbardhë të vërtetën jo vetëm natën që ndërroi jetë djali i tyre, por edhe shkaqet që sollën deri tek pirja e tepruar e tabletave prapa grilave të burgut./alsat/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat