Maqedonia dhe Greqia të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Prespës, përkrahje e fuqishme greke edhe për eurointegrimet

Maqedonia

Maqedonia dhe Greqia të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Prespës, përkrahje e fuqishme greke edhe për eurointegrimet

Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 09:17
Foto ilustrim

Përmirësim i relacioneve bilaterale që kalojnë përmes Marrëveshjes së Prespës, por edhe përpjekje për mbulim për të gjitha vonesat që  ekzistojnë për zbatimin e kësaj marrëveshje. Dy vendet kanë të ardhme të përbashkët.

Kështu është vlerësimi i marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Greqisë e që dolën nga vizita e parë zyrtare e ministrit të Punëve të Jashme  të Greqisë, Nikos Dendias në Shkup me kolegun e tij, Nikolla Dimitrov.

Në konferencën e përbashkët, Nikolla Dimitrov tha se Maqedonia e Veriut ka përkrahjen e fuqishme dhe të plotë nga Greqia në hapjen e  negociatave me BE-në dhe se Athina përpiqet për zbatim të plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe përforcim të bashkëpunimit bilateral.

“Jam i lumtur për vizitën e parë në Maqedoni të Veriut, që së shpejti do të bëhet partnere e Greqisë në NATO dhe kandidat i BE-së.  Jam i sigurt se së shpejti do t’i nisni bisedimet. Keni përkrahjen e plotë nga Greqia. Nisja e bisedimeve do të jetë hap i rëndësishëm  edhe për Greqinë. E kuptojmë dëshpërimin e anulimit, por duhet të shihet përpara. E rëndësishme është që të zbatohen vlerat evropiane  kurse ne ofrojmë bashkëpunim të plotë”, tha Dendias.

Ministri Dimitrov theksoi se Maqedonia e Veriut pret mbështetjen greke në rrugën drejt BE-së.

“Greqia është partneri ynë strategjik, fqinj dhe shtet mik. Marrëveshja e Prespës hapi potencial të madh për bashkëpunim e që duhet të  shfrytëzohet”, tha Dimitrov.

Në pyetje të gazetarëve nëse mund të kontestohet Marrëveshja e Prespës në të dyja vendet, Dendias tha se qëndrimi aktual i Qeverisë  greke është se kjo tashmë është çështje e kryer dhe duhet në mënyrë të plotë të zbatohet.

“Me vizitën time të sotme me Dimitrovin e thelluam dhe e zgjeruam bashkëpunimin. Dy vendet kanë interes të përbashkët. Kemi të ardhme të përbashkët”, tha Dendias duke vlerësuar si pozitive vizitën e tij.

Edhe Dimitrov tha se Marrëveshja e Prespës tashmë është pjesë e sistemit juridik dhe se duhet të respektohet.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës vazhdon edhe pse kemi zgjedhje të parakohshme kuvendare. A ka opozita të njëjtin qëndrim është pyetje ër opozitën, e rëndësishme është të dihet se marrëveshja është pjesë e sistemit juridik dhe vlen rregulla ‘pacta sunt servanda’, marrëveshjet duhet të respektohet”, tha Dimitrov.

Dendias, i cili ishte për vizitë zyrtare në Maqedoni të Veriut, kishte takime edhe me kryetarin Stevo Pendarovski dhe me kryeministrin, Zoran Zaev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat