Gjykata Kushtetuese të mërkurën do ta shqyrtojë iniciativën për Ligjin për Amnisti

Maqedonia

Gjykata Kushtetuese të mërkurën do ta shqyrtojë iniciativën për Ligjin për Amnisti

Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 14:14
Foto ilustruese

Gjykata Kushtetuese të mërkurën në seancë do ta shqyrtojë iniciativën për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e nenit 1 dhe nenit 2 të Ligjit për Amnisti.

Me iniciativën kërkohet që të shqyrtohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e këtyre dy neneve të Ligjit për Amnisti në bazë të të cilit ishin amnistuar persona të përfshirë në dhunën në Kuvend të 27 prillit të vitit 2017.

Në mesin e të amnistuarve për “të enjten e përgjakur” ishin edhe pesë deputetë Krsto Mukoski, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski, Lupço Dimovski dhe Luben Arnaudov, të cilët ishin të akuzuar se i kishin hapur dyert dhe i kishin dërguar personat me maska dhe qytetarët tjerë drejtë sallës plenare dhe drejtë pres-qendrës në Kuvend më 27 prill.

Në mesin e të amnistuarve ishin edhe udhëheqësit e protestave të “Për Maqedoni të përbashkët”, Bogdan Ilievski, Vllado Jovanovski dhe Boris Damovski, të cilët ishin akuzuar se me fjalimet e tyre iu kishin bërë thirrje qytetarëve që të hynë në shtëpinë ligjvënëse.

Gjykata në Shkup shqiptoi dënim në kohëzgjatje prej gjithsej 211 vite për 16 të akuzuarit për sulmin në Kuvend më 27 prill të vitit 2017 për rrezikim të rendit kushtetues dhe sigurisë. Dënim më të lartë prej 18 viteve mori ish drejtori i Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov, ndërsa të tjerët morën nga tetë deri në 15 vite burg. I lirë për “27 prillin” u shpall këngëtari i operës Igor Durllovski.

Gjykata Kushtetuese javën e kaluar ngriti procedurë për nenin 11-a të Ligjit për plotësim të Ligjit për Falje nga viti 2006, me çka shkaktoi reagime të mëdha në opinion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat