Maqedoni: Disa vende anëtare të BE-së, me “non paper” të ri

Maqedonia

Maqedoni: Disa vende anëtare të BE-së, me “non paper” të ri

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 17:07
Foto ilustrim

Pas non-paperit të Francës, Austria, Italia, Sllovenia dhe vendet e Grupit të Vishegradit kanë dorëzuar në Bruksel non-paperin e tyre për të “përmirësuar procesin dhe integrimin e qëndrueshëm dhe të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor”. Propozimi i ri parashikon kushte të rrepta dhe të drejta, respektivisht anëtarësimin e plotë si qëllim përfundimtar dhe vetëm mbi bazë të rezultateve të arritura.

“Anëtarësimin e plotë si qëllimin përfundimtar, përqendrimin në fushat themelore, një proces pranimi të bazuar në rezultatet e arritura, kushtet e rrepta dhe të drejta, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të jenë në përputhje me kornizat e negociatave para-ekzistuese. Reforma e brendshme e BE-së nuk mund të jetë parakusht për zgjerim. Dera jonë mbetet e hapur”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në Bruksel.

Propozohet grupim dhe strukturim më i mirë i kapitujve si dhe dhënie të “Stimujve më të fortë” në mënyrë që të sigurohet progres në negociata dhe përfitime të qarta për qytetarët e vendeve në proces. Në kuadër të “stimujve politikë” propozohen: takime vjetore mes liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, nismë të përbashkët në formë të një “Konference mbi Ardhmërinë e Evropës”. Në kuadër të “stimujve financiarë” propozohen: mbështetje më e fuqishme financiare për rajonin, rritje të investimeve dhe ngushtim të hendekut ekonomik dhe zhvillimor mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Në këtë non-paper të ri përmenden 5 objektiva.

5 objektivat themelore të non-paperit

Forcimi i besueshmërisë së procesit të anëtarësimit dhe bashkëpunimi ndër-institucional;

Përshpejtimi i progresit në reforma, veçanërisht në Sundimin e Ligjit;

Procesi të jetë më gjithëpërfshirës dhe më pak i hollësishëm;

Negociatat t’i përgatisin vendet më mirë për anëtarësim dhe përfitimet të jenë të prekshme për qytetarët;

Angazhim më aktiv i BE-së.

Komisioni Evropian pritet të dalë gjatë janarit me propozimin e tij për një metodologji të re të zgjerimit, e cila duhet të jetë baza për debate të mëtejshme dhe ndërtimin e konsensusit brenda BE për të ardhmen e politikës së zgjerimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat