Tetovë, asgjë nga premtimi për transportin publik

Maqedonia

Tetovë, asgjë nga premtimi për transportin publik

Më: 6 janar 2020 Në ora: 14:56
Foto ilustrim

Përkundër premtimeve të njëpasnjëshme të autoriteteve lokale për autobusët, Tetova edhe më tej mbetet pa transport publik. Banorët shprehen të zhgënjyer nga vonesat disavjeçare për zgjidhjen e kaosit në trafik.

“Ja siç e shihni në vend të autobusëve ne bëjmë transport. Shumë kanë premtuar por nuk kanë realizuar asgjë dhe si duket gjatë do jetë pa transport publik. Disa projekte që i kanë filluar i kanë lënë në gjysmë dhe s`mendoj se do i realizojnë deri në fund”

“Kur, sivjet do i bjere në mot apo tjetër vit! Asnjëherë s`do bëhet, s`është bë gjë ndonjëherë. Vetëm premtime ka”

Komuna e Tetovës edhe në këtë rast shfajësohet duke hedhur topin tek Ministria e Financave. Kreu i Këshillit Komunal thotë se presin pëlqimin për blerjen e autobusëve në vlerë prej 73 milion denarëve.

Dua të them se ajo ka kaluar më në mbledhjen e bordit të Bankës Botërore, dhe si kërkesë për huamarrje deri tek ministria e Financave ka kaluar, dhe presim tani që ajo të aprovohet- deklaroi Bekim Memeti, Kryetar i këshillit komunal Tetovë.

Nga ana tjetër, nga Ministria e Financave për Alsat janë shprehur se kanë përfunduar të gjitha procedurat, dhe se pritet vetëm dërgimi i dokumentacionit në Bankën Botërore.

Ministria e Financave  

“Kërkesa e komunës së Tetovës për furnizim me pesë autobusë, është miratuar nga Banka Botërore, po ashtu edhe nga Ministria e Financave. Pritet tani përfundimi i projekt dokumentacionit final të cilat më pas do të dërgohen në Bankën Botërore për blerjen e autobusëve”.-thonë nga Ministria e Financave

Përveç mos furnizimit të autobusëve, nga drejtoria për transport e komunës së Tetovës, nuk kanë filluar ende as rregullimin e vendeve për pritje të autobusëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat