Memedi takoi ambasadoren e Kroacisë Nives Tiganj

Maqedonia

Memedi takoi ambasadoren e Kroacisë Nives Tiganj

Më: 10 janar 2020 Në ora: 14:09
Pamje nga takimi

Në ambasadën kroate në Shkup, kryetari i RDK-së Vesel Memedi i shoqëruar nga Sekretari i përgjithshëm i RDK-së Suhejl Fazliu dhe zëdhënësi i partisë Shpat Iseini pati takim pune me Tiganj në lidhje me ngjarjet aktuale në vend.

Në fillim të takimit, kryetari i RDK-së Memedi i uroi mirëseardhje Ambasadores Tiganj, dhe e përgëzoi për funksionin e ri duke i dëshiruar sukses në detyrën e saj si ambasadore e Kroacisë në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i RDK-së gjithashtu shprehu falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe se shpreson se gjatë kryesimit të Republikës së Kroacisë me Këshillin e Bashkimit Evropian do të arrihet momenti i shumëpritur për qytetarët e Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat për anëtarsim në Bashkimin Evropian.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi zhvillimet politike në vend në prag të zgjedhjeve parlamentare, me çrastë kryetari Memedi e njoftoi Ambasadoren Tiganj se RDK-ja, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, u bë faktor kryesorë për formimin e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut, me çka edhe pasuan zhvillimet historike në vendin tonë siç ishte zgjidhja e problemit të emrit me Greqinë, marëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe sjellja i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

Në vazhdim z.Memedi potencoi edhe njëherë faktin se koalicionet të cilat formohen me sinqeritet dhe prioritet për zgjidhjen e problemeve, pa dyshim se janë të sukseshme, ndërsa koalicionet që formohen vetëm mbi dëshirën dhe shpresën për të mbuluar të kaluarën, dhe për të ngelë në skenë disa lider politik, atëher ne jemi të bindur se nga koalicionimet e tilla nuk kanë dobi qytetarët apo vendi, dhe se nuk mund të sjellin asnjë rezultat, përpos të krijimit të një hutie dhe manipulimi momental e cila më pasë rezulton me demoralizim të qytetarëve dhe vrasje të shpresës për zhvillim të vendit.

Ambasadorja kroate Tiganj vlerësoi rolin konstruktiv të RDK-së gjatë gjithë zhvillimeve më të rëndësishme në vend dhe përgëzoi Kryetarin Memedi për mbjelljen e frymës të një politike vizionare me parime dhe vlera të larta civilizuese evropiane.

Tiganj gjithashtu nga ana e saj, garantoi vazhdimin e mbështetjes së Kroacisë në perspektivën evropiane dhe euroatlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat