Zyrtarët e BDI-së në bashkëbisedim dhe llogaridhënie në Komunën e Çairit

Maqedonia

Zyrtarët e BDI-së në bashkëbisedim dhe llogaridhënie në Komunën e Çairit

Më: 15 janar 2020 Në ora: 16:30
Kreshnik Bekteshi

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, deputetë, dhe funksionarë tjerë sot vizituan Komunën e Çairit. Fillimisht vizituan rrugën e“Plastikave” në Komunën e Çairit ku inspektuan nga afër punimet që po bëhen në këtë rrugë dhe realizuan takim me përfaqësues dhe pronarë të dyqaneve.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu sqaruan detaje rreth aktivitete dhe projekteve të realizuara deri më tani si dhe të atyre që janë në realizim e sipër.

Ministri Bekteshi theksoi se funksionarët e Bashkimit Demokratik për Integrim në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë vazhdimisht në teren për të vëzhguar punimet e projekteve aktuale dhe për të qenë sa më afër qytetarëve.

“Pothuajse çdo ditë anëtarët e Qeverisë të Bashkimit Demokratik për Integrim në bashkëpunim me deputetët vizitojnë komuna të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, sot jemi në komunën e Çairit së bashku me kryetarin Ganiu, vizitojmë ndërmarrjet por njëkohësisht edhe punimet e projekteve infrastrukturore. Sot do të kemi mundësi të takohemi edhe me esnafët në kuadër të Çarshisë por njëkohësisht edhe me ndihmën e deputetëve do të takojmë edhe sipërmarrësit në zonën industriale në Vizbeg dhe agjendën e përmbyllim me takimin me të gjitha strukturat e BDI-së por njëkohësisht edhe me qytetarët ku do të dëgjojmë sugjerimet e tyre sa i përket politikave të cilat i implementon BDI por edhe masat të cilat do ti parashohim në programin e ardhshëm“, tha Bekteshi.

Kreu i Komunës së Çairit Visar Ganiu u shpreh se ky është një investim shumë i duhur për këtë pjesë të rrugës, ai gjithashtu sqaroi se po bëhet edhe rikonstruimi i rrjetit nëntokësor të kanalizimit në këtë pjesë.

“Bashkërisht me pushtetin ekzekutiv po i bëjmë vizitë rrugës të Plastikave, këtu para disa ditëve me të gjithë pronarët e objekteve kishim një takim së bashku me kryetarin e qytetit të Shkupit për ti informuar për fillimin e punimeve. Ishte një investim i nevojshëm për këtë pjesë, kjo rrugë zgjerohet edhe për një korsi, kështu që do të kemi dy korsi nga të dyja anët. Gjithashtu shfrytëzuan rastin të bëjmë edhe rikonstruimin e infrastrukturës nëntokësore e cila ishte mjaft e nevojshme dhe në gjatësi prej 1444 metra bëhen punimet, në të njëjtën kohë zgjerohet udha por edhe bëhet rikonstruimin i kanalizimit atmosferik, ujësjellësit dhe i gjithë instalimit nëntokësor. Elaboruam në detaje se çfarë do të përmbajë projekti, kur të bëhet rrumbullakimi i këtij projekti do kemi dy parkingje në kate, do të kemi rrugën e zgjeruar, korsi për biçikleta”, tha Ganiu.

Pas vizitës në rrugën e plastikave u ndalën në Çarshinë e vjetër të Shkupit për të parë realizimin e projektit të vitrinave të Çarshisë.

Ministri Bekteshi deklaroi se projekti i ndërrimit të vitrinave të dyqaneve që Çarshisë është shembulli i shkëlqyer bashkëpunimi mes pushtetit qendror dhe atij lokal.

“Si Ministri e Ekonomisë jemi duke i ndjekur punimet sa i përket ndërrimit të vitrinave në dyqanet në Çarshinë e vjetër të Shkupit një projekt i cili ka qenë i premtuar me fillimin e kësaj Qeverie, për momentin është duke u realizuar dhe shpresojmë që së shpejti të përfundoj. Një investim të cilin e kemi bërë së bashku me Komunën e Çairit prej 200 mijë eurosh duke mos përfshirë këtu edhe grantin të cilin e ka fituar Komuna e Çairit prej 800 mijë euro në kuadër të projektit për zhvillimin e turizmit të realizuar nga Banka Botërore. Ministria e Ekonomisë është e përkushtuar në realizimin e projekteve të tilla dhe mundem ta them hapur se është një shembull konkret se si duhet të bashkëpunoj institucionet në nivel qendror dhe ato në nivel lokal me të vetmin qëllim që projektet të realizohen sa më shpejtë . Në kuadër të Çarshisë së vjetër të Shkupit ne kemi ndarë mjete edhe për komunën Qendër por për momentin ato nuk kanë filluar me punimet, ne si Ministri do të kërkojmë që mjetet ti kthehen Ministrisë së ekonomisë dhe ne do ti ridedikojmë ato mjete për Komunën e Çairit marrë parasysh që ka realizim të kënaqshëm për sa i përket këtij projekti dhe në këtë mënyrë do të rrisim edhe numrin e dyqaneve”, tha Bekteshi.

Ndërkohë kreu i Çairit, Ganiu theksoi edhe njëherë rëndësinë e Çarshisë për qytetarët dhe falënderoi ministrin Bekteshi dhe Qeverinë për bashkëpunimin e vazhdueshëm e në veçanti për projektin e vitrinave të Çarshisë.

“Falënderoj ministrin dhe Qeverinë për bashkëpunimin që kemi në kontinuitet sa i përket Çarshisë. Ministria ka ndarë buxhet edhe vitin e kaluar, ku bashkërisht kemi ndarën 12 milionë denarë për të realizuar ndërrimin e 63 vitrinave të afaristëve të dyqaneve që kanë aplikuar”, tha mes tjerash Ganiu.

Aktivitetet vazhduan me takim pune me përfaqësues të Zonës Industriale të Vizbegut dhe takim me strukturat partiake dhe me qytetarë në hapësirat e komunës së Çairit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat