Hatixhja e “Honeyland” tregon si iu ndryshua jeta pas filmit që u nominua për çmimin “Oskar”

Maqedonia

Hatixhja e “Honeyland” tregon si iu ndryshua jeta pas filmit që u nominua për çmimin “Oskar”

Më: 20 janar 2020 Në ora: 20:04
Filmi “Honeyland”

Filmi “Honeyland” nga Maqedonia, i cili është nominuar në dy kategori për çmimin “Oskar”, ka bërë bujë të madhe në opinionin vendor, ndërsa më shumë ka tërhequr vëmendjen personazhi kryesor i këtij filmi dokumentar – Hatixhja.

Në disa rrëfime për mediumet vendore, ajo ka treguar kushtet në të cilat jeton, si dhe si ka ardhur deri tek kontakti me personat që e kanë realizuar filmin. Hatixhja është shprehur e lumtur që filmi në të cilin ajo e ka rolin kryesor është nominuar për çmimin “Oskar”, si dhe shprehet e bindur se do të fitojnë, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Pas Bajramit, thash Allahu të më dërgojë dikë, që të mund t’ia tregojë të kaluarat e mia. Më pas erdhën ata. Së pari jam takuar me Fehim Dauti, më pas me Ljube Stefanov dhe Tamara Kotevska. Jam shumë e lumtur për filmin dhe kam bindjen se do të jemi fitues”, tha Hatixhja për Klan Maqedoni.

Regjisorët dhe producentët e filmit “Honeyland” e kanë shoqëruar Atixhen për tre vite, aq sa kanë zgjatur xhirimet për këtë film.

“Gjithë bota e ka pranuar mesazhin që e dhash unë, që kam thënë për mjaltin: ‘gjysmën për ata, gjysmën për ne’. Shumë gjëra që i kam thënë unë, ata i kanë pranuar”, u shpreh Hatixhja.

Ajo tha se filmi “Honyeland” ia ka ndryshuar jetën, duke shtuar se ka jetuar në një fshat dhe e vetme, ndërsa pas publikimit të filmit dhe nominimeve për çmimin “Oskar” është vizituar nga shumë persona.

Sa i përket realizimit të filmit dokumentar, Hatixhja tha se nuk e ka pasur të vështirë, pasi siç theksoi, ajo që shihet në film ka qenë përditshmëri e saj.

“Fillimisht kisha turp, pasi mendoja të mos them diçka që nuk duhet, më pas u mësova. Me muaj nuk e kam ditur nëse xhirojmë, film ose diçka tjetër”, tha personazhja kryesore e “Honeyland”.

Pas famës dhe vëmendjes që mori ajo nga opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar e botëror, për Hatixhen kanë filluar të interesohen edhe autoritetet politike dhe organizatat joqeveritare në vend.

Grupi i pavarur i deputetëve të OBRM-PDUKM-së, sot njoftuan se do të bashkëngjiten në aksionin për dhurim për Hatixhen dhe fëmijët që janë pjesë e dokumentarit “Honyeland”.

“Me interes të madh e kemi ndjekur thirrjen për dhurim për fëmijët e Honeyland dhe nevojën për rregullimin e kulmit për Hatixhen, në Dorfulija. Menjëherë kemi vendosur që të kyçemi dhe i ftojmë edhe kolegët tjerë që të ndjekin shembullin tonë. Gjithashtu, pasi Qeveria të martën ka seancë, këtë e presim edhe nga ministrat dhe zëvendës ministrat. Apel për ndihmë ju dërgojmë edhe kompanive dhe të gjithë atyre që kanë mundësi”, thuhet në njoftimin e deputetëve të pavarur të OBRM-PDUKM-së.

Ndërsa edhe Komuna e Llozovës ka njoftuar se do të fillojë me sanimin e kulmit të shtëpisë së Hatixhes, në fshatin Dorfullija, por edhe ndërtimin e një shtëpie të re. Se si do të jetë fati i saj pas këtij filmi, mbetet të shihet.

Theksojmë që filmi dokumentar “Honyeland” është nominuar në dy kategori për çmimin “Oskar” edhe atë: film më i mirë i huaj dhe dokumentari më i mirë, ndërsa ceremonia e do të mbahet më 9 shkurt në Hollywood./Telegrafi/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat