Maqedoni, vetëm 56 kërkesa për pensionin social

Maqedonia

Maqedoni, vetëm 56 kërkesa për pensionin social

Më: 27 janar 2020 Në ora: 10:43
Ilustrim

Në Komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, deri tani ka shumë pak kërkesa për pensionin social. Sipas të dhënave të Qendrës për Punë Sociale në Dibër, janë evidentuar 56 kërkesa, por vlerësohet se numri i personave mbi 65 vjet e që i plotësojnë kushtet për këtë të drejtë sociale, është shumë më i madh.

Drejtori i Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër, Kreshnik Paçuku, informon se nga dy komunat – respektivisht Dibër dhe Qendër Zhupë, numri i përgjithshëm i personave që janë paraqitur për pension social është 56, por sipas tij , duke marrë parasysh të dhënat sociale, nga institucionet kompetente pritet që në vijim ky numër të rritet.

Ne, thekson Paçuku, kemi informuar shumë herë nëpër mediat lokale për të drejtën e personave që kanë mbush 65 vjet që të shfrytëzojnë këtë të drejtë sociale, sidomos ata nëse nuk kanë përvojë pune dhe të hyra të tjera. Bëhet fjalë për një pension social në vlerë prej 6000 denarësh edhe atë nëse bashkëshortët nuk kanë të ardhura të tjera. Kjo e drejtë ligjore i takon vetëm njërit nga bashkëshortët. Si shkaqe kryesore të numrit të vogël të personave që kanë kërkuar këtë të drejtë, radhitet joinformimi i popullatës, por shpesh edhe mos interesimi për shkak se një pjesë e madhe e personave të moshuar marrin përkrahje materiale nga fëmijët e tyre që janë në mërgim, por kanë edhe të ardhura nga bujqësia dhe nga burime tjera. Në takimin që patëm me disa të moshuar, të cilët deri tani nuk kanë bërë kërkesë për pension social, ata thonë se kanë nevojë për informata më konkrete nga Ministria për Punë Sociale që nëpër mediat elektronike, të paraqesin detaje rreth kësaj të drejte sociale.

Duke marrë parasysh se në Dibër dhe rajon me ardhjen e pluralizmit pati shumë ndërmarrje, të cilët falimentuan dhe më pas pjesa dërmuese ngeli pa punë, fakt është që shumë të moshuar dibran jo vetëm që nuk kanë arritur minimumin e viteve për pension e që është më së paku 15 vite, por ka shumë të tillë të cilët kanë arritur moshën 65 vjet me dy deri në dhjet vjet përvojë pune, gjë që nuk ju mundëson marrjen e pensionit. Prandaj pensioni social është një mundësi për këto persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat