Rrugë e vështirë për një banesë, qytetarëve të Maqedonisë ju duhen 30 vjet për kulm mbi kokë

Maqedonia

Rrugë e vështirë për një banesë, qytetarëve të Maqedonisë ju duhen 30 vjet për kulm mbi kokë

Më: 18 shkurt 2020 Në ora: 18:43
Foto ilustrim

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut me nivelin aktual të pagave në shtet mund të blejnë banesë vetëm me kredi afatgjate prej 20-30 vitesh dhe me vendosjen e pronës së tyre të patundshme nën hipotekë. Këtë e mbështesin edhe analizat e Institutit hulumtues – TIM që tregojnë se vetëm një për qind e qytetarëve kanë të ardhura të mjaftueshme që të mund ti lejojnë vetes të blejnë banesë apo shtëpi vikendi. Njëherësh analizat e këtij institute tregojnë edhe standardin e ulët apo fuqinë e dobët blerëse në shtet, shkruan gazeta Koha.

“Gjysma apo 57 për qind e qytetarëve kanë mjaftueshëm të holla për ushqim dhe veshmbathje, 12 për qind nuk kanë mjete financiare të mjaftueshme as për ushqim, ndërsa 44 për qind e tyre nuk kanë edhe çka të kursejnë në banka”, tregojnë analizat e TIM.

Në ndërkohë, edhe të dhënat vetëm për vitin e kaluar të Agjencisë së Kadastrës tregojnë se vështirë se ekziston mundësi tjetër në shtet, që të blihet banesë përveç marrjes së kredisë afatgjate ku në fund do ti paguani bankës, jo vetëm kredinë pro edhe një shumë të madhe për kamatat apo normat e interesit. Të dhënat e Kadastrës tregojnë se në rritje e sipër është numri i banesave ku si garanci për kthimin e kredisë vendoset banesa.

“Në periudhën korrik deri në muajin shtator të vitit 2019 nën hipotekë është vendosur çdo e dhjeta banesë në shtet, prej të cilave çdo e katërta banesë është në Shkup. Me fjalë të tjera në fund të muajit shtator të vitit të kaluar në shtet janë regjistruar gjithsej 132.527 hipoteka ndaj banesave nga 1.084.534 banesa me fletë pronësi që përbën 12.2 për qind të fondit banesor në shtet”, tregojnë të dhënat e Kadastrës.

Njëherësh këtë rritje të pronave të vendosura si kolateral e ndjek edhe rritja e kredive banesore për shkak se një pjesë e madhe e tyre janë rrjedhojë e kredive të miratuara në banka. Rritjen e kredive nëpër banka e tregojnë edhe të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë, sipas të cilave në muajin dhjetor të viti 2017, vlera e kredive banesore ka qenë 39,535 milionë denarë për tu rritur në 51,338 milion denarë në dhjetor të vitit 2019.

Gjithashtu rritjen e madhe të kredive banesore në katër vitet e fundit e tregojnë edhe rritja e tyre për 70 për qind në këtë periudhë apo nga 30,287 milion denarë në dhjetor të vitit 2015 në 51 milion denarë në dhjetor të vitit 2019. Me fjalë të tjera janë rritur kreditë banesore në katër vitet e fundit nga afër 490 milionë euro në afër 834 milionë euro.

Përllogaritja në një nga bankat që ofrojnë kredi që në fakt më shumë shërben si orientim për shkak se kushtet dhe lartësia e kredisë varen nga më shumë faktorë , mirëpo mund të dëshmojnë koston e lartë të një kredie banesore. Për një shumë prej 30 mijë euro apo afër 1.8 milion denarë për 180 muaj të kthimit apo për 15 vite , kësti mujor do të jetë afër 14 mijë denarë. Njëherësh përllogaritja orientuese tregon se në kredinë me vlerë prej 30 mijë euro do të paguani kamatë prej afër 12 mijë euro.

Nga ana tjetër në shumicën e rasteve , kërkuesit e kredive kanë kursyer një pjesë të konsiderueshme të të hollave për kredi banesore , kanë ndihmë të familjarëve apo kanë mundësi që kredia të mbulojë vetëm një pjesë të harxhimeve për blerjen e banesës së re që blihet edhe në bashkëpunim me kompanitë e ndërtimit apo blejnë banesa të vjetra që më vonë do të rinovohet sipas thellësisë së xhepit. Nga ana tjetër, eksperti ekonomik Neritan Turkeshi, thotë se për qytetarët në vend që kanë dy paga solide nuk ekziston mundësi tjetër përveçse që për 20 apo 30 vite të paguajnë kredi ndaj bankave për të zgjidhur problemin e banimit.

“Kushtet që duhet të plotësohen ndaj bankave për të fituar kredi për banesë nuk janë të lehta duke filluar nga pjesëmarrja në kredi me një shumë fillestare, në muaj do të paguani së paku 200 euro që paraqesin një ngarkesë të madhe për buxhetin familjar, ndërsa në fund kamatat që do të paguani në mënyrë shtesë shpesh ndodh të jenë sa gjysma e kredisë që e paguani. Mirëpo për familjarët që kanë mundësi të kthejnë me rregull këstet e kredive, dhe kanë të ardhura të rregullta mujore që janë pak mbi mesataren nuk ka mundësi tjetër që të bëhen me kulm nën kokë përveçse të hyjnë në borxh në banka”, thotë profesori universitar Neritan Turkeshi.

Ai shton më tej se sërish një mundësi më e mirë për të gjithë ato që kanë mundësi është të paguajnë këstin e kredisë për çdo muaj dhe në fund do tu mbetet prona e patundshme në pronësi, sesa të paguajnë për vite me radhë qira që në fakt paraqet humbje të të hollave.

Vazhdon projekti “Blej shtëpi, blej banesë”

Shteti ka vazhduar me projektin “Blej shtëpi, blej banesë”. Kushtet për shfrytëzimin e subvencioneve janë që një metër katror të mos jetë më i shtrenjtë se 900 euro, ndërsa pagat e bashkëshortëve së bashku nuk duhet të jenë më të mëdha se 1.300 euro. Përfitimi më i madh për qytetarët është ulja e kamatave për dhënien e kredisë për strehim si subvencion, ku për modelet ku shteti subvencionon këstin e kredisë, norma e interesit u ul nga 3.95 për qind në 2.9 për qind , ndërsa për vitin e katërt dhe të pestë, norma e interesit u ul nga 4.44 në 3.9 për qind.

Me fjalë të tjera pjesëmarrja e shteti gjatë blerjes së banesës në vend se 50 mund të jetë edhe 70 për qind për të rinjtë nën 35 vjet apo maksimum 12 mijë euro. Për blerjen e shtëpisë subvencioni mund të jetë edhe 100 për qind e pjesëmarrjes apo 11 vite të subvencionimit të këstit mujor, ndërsa me këtë model në maksimum mund të fitohen 20.830 euro. Për personat mbi 35 vjeç, ndihma maksimale shtetërore për blerjen e shtëpisë mund të jetë 13.600 euro. Vitin e kaluar janë ndarë 97 kredi për banim prej 3,6 milion euro dhe një subvencion prej 1.1 milion euro. Fonde për projektin “Blej shtëpi, blej banesë” me vlerë prej dy milion euro janë parashikuar edhe në Buxhetin e vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat