Nesimi: Kanë përfituar të gjitha partitë shqiptare

Maqedonia

Nesimi: Kanë përfituar të gjitha partitë shqiptare

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 18:40

Zgjedhjet e 12 prillit do të realizohen me tre njësi zgjedhore të disbalancuara, në të cilat numri i votuesve i tejkalon kufijtë ligjor.

“Me ndryshimet në kodin zgjedhor që ndodhën të premten, kufijtë e njësive zgjedhore tani dukën kështu. Një pjesë e Komunës së Dibrës, Mavrova dhe Rostusha kanë kaluar nga njësia e 6 në njësinë e 5. Numri i votuesve që kanë kaluar nga njësi me numër 6 në njësinë me numër 5 është si vijon. 18.657 votues nga Dibra, 9.932 votues nga komuna e Rostushës dhe Mavrovës. Nëse në njësinë me numër 5 dikur kishte balans me -2.4, tani balansi është +3.9, ndërkaq në njësinë me numër 6, ku disbalansi ishte shumë i lartë me +8.6, tani balansi është +2.4”.

Nga KSHZ thonë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të zhvillohen në bazë të këtyre ndryshimeve.

“Tani kemi dallim në njësinë zgjedhore numër 2 ku kemi +6%, pastaj në njësinë zgjedhore numër 3, ku kemi -8.14%, në njësinë zgjedhore numër 4, -6,61 %. Zgjedhjet do të organizohen në bazë të këtyre votuesve që janë të shpërndarë në njësi zgjedhore”, deklaroi Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.

Analisti, Robert Nesimi thotë se disbalans më të madh ka në njësitë zgjedhore ku ka votues shqiptar dhe e vlerëson pozitivisht lëvizjen e kufijve të njësive zgjedhore, por thotë se është dashur të balansohen të gjitha njësitë. Bartja e votuesve nga 6 në 5, sipas Nesimit, i leverdis të gjitha partive shqiptare.

“Njësitë me numër 2 dhe 6 ku ka më shumë shqiptar kanë disbalans më të madh, ku nuk ka fare shqiptar 3 dhe 4 janë shumë më të vogla sesa ajo e lejuara me ligj. Është dashur të bëhet ky ndryshim, mendoj se të gjitha partitë shqiptare kanë qenë të interesuara që të bëhet”, deklaroi Robert Nesimi.

Ndërkaq Robert Nesimit vlerëson se ky ndryshim vjen si rezultat i një kompromisi mes partive shqiptare dhe maqedonase.

“Njësia zgjedhore numër gjashtë, nuk është rregulluar siç duhet, për arsye se përsëri është më e madhe se njësia zgjedhore numër pesë, edhe pse është brenda kufirit ligjor. Ndërsa sa i përket njësive zgjedhore 2, 3 dhe 4 nuk janë prekur aspak, dhe kjo më bën të mendoj që është kompromis midis partive shqiptare dhe atyre maqedonase, por për fat të keq edhe me këtë kompromis, përsëri është shkelur, kushtetuta, barazia e votës dhe ligji”, shtoi Nesimi.

Ndryshe Kodi zgjedhor, në nenin 4 të tij parashikon që numri i votuesve mund të lëvizë e shumta nga minus 5% deri më plus 5% në krahasim me numrin mesatar të votuesve në njësinë zgjedhore.

Deri më 12 mars në mesnatë partitë duhet t’i dorëzojnë listat zgjedhore për gjashtë njësitë zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen më 12 prill, në pajtim me librin e afateve, të cilin e publikoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për aktivitetet në prag të zgjedhjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat