Ahmeti për “Monstrën”: Druajmë të mos arrihet deri në përleshje dhe eskalim të situtatës

Maqedonia

Ahmeti për “Monstrën”: Druajmë të mos arrihet deri në përleshje dhe eskalim të situtatës

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 19:25
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në dëshminë e sotme për rastin “Monstra” deklaroi se për vrasjen e pesëfishtë tek Liqeni i Smillkovës, ka mësuar ditën e ardhshme dhe se ka pasur disa biseda me bashkëpunëtorët e tij, si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të mos keqpërdoret rasti.

Ka druajtur se ky rast mund të sjellë deri në trazira dhe ngjarje të padëshiruara.

“Kemi qenë të shqetësuar dhe kemi dashur ta dimë të vërtetën për këtë rast. Të gjithë në njëfarë mënyre kemi qenë të frikësuar që të mos eskalohet situata dhe të vihet deri në trazira”, tha Ahmeti.

Pohoi edhe se ai dhe BDI-ja kanë dhënë kontribut që të zbardhet rasti. Për këtë ka kërkuar mbështetje edhe nga përfaqësues të SHBA-së dhe të BE-së, si dhe monitorim ndërkombëtar të procesit gjyqësor.

Në deklaratën për mediat pas dëshmisë, Ahmeti tha se kanë kërkuar përsëritje të gjykimit me monitorim ndërkombëtar që të vërtetohet e vërteta.

“Ne presim që autoritetet gjyqësore ta përpunojnë dhe ta ndriçojnë rastin. Vetëm kështu mund të gjejnë paqe ata që i kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur. Kemi biseduar me autoritete politike për shkak se autoritetet politike, partitë politikë kanë përgjegjësi që ta menaxhojnë situatën dhe në fund vlerësimi ynë ishte se procedura duhet të përsëritet me dëshmi biologjike, materiale dhe në mënyrë më transparente për gjithë opinionin, për shkak se ky rast është me të vërtetë tragjedi dhe nëse nuk ndriçohet ashtu siç duhet mund të ketë pasoja. Për këtë dikush kërkon që rastin ta shfrytëzojë për synime politike me qëllime më të këqija që t’i vendos dy palët në konflikt”, tha Ahmeti.

BDI-ja, sipas tij, si parti politike ka paguar çmim të lartë, të gjithë i kanë akuzuar se janë të ndërlidhur me rastin dhe për këtë, askush më shumë se ata nuk dëshiron që të zbardhet rastit.

Në seancën paraprake për rastin “Monstra” dëshmuan edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Për vrasjen e pesëfishtë më 12 prill 2012, kur u vranë djelmoshat Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, në procedurë paraprake për rastin me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailloviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësi Ognen Stavrev, ndërsa përfaqësues të aktakuzës janë Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski.

Gjykata Supreme në dhjetor të vitit 2017 i pezulloi aktgjykimet, i liroi të dënuarit Agim Ismailloviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe u caktoi masa kujdesi. Pas heqjes së aktgjykimeve, lëndën “Monstra” e ndërmori PSP dhe lënda u kthye në gjykim të sërishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat