Ministria e Arsimit pa strategji për vitin shkollor në Maqedoni

Maqedonia

Ministria e Arsimit pa strategji për vitin shkollor në Maqedoni

Më: 17 mars 2020 Në ora: 23:02
Foto ilustrim

A mund të shpëtohet viti shkollor? Përgjigjen e kësaj pyetje e kërkon edhe vetë Ministria e Arsimit e cila ende nuk ka strategji se çka me nxënësit që mbeten pa mësim klasik për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit. Nga Ministria e Arsimit thonë se për momentin gjenden mënyra vetëm për arsimin dhe edukimin joformal të nxënësve.

“Në këtë drejtim përveç se ndamë përmbajtje edukative me shkollat dhe opinionin, morëm edhe vendim të përbashkët për transmetimin e programit edukativ “TV klasa” në MRTV. Për fëmijët parashkollorë transmetohen tregime edukative dhe përmbajtje tjera”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit.

Ky është lloj i arsimit joformal, konfirmojnë nga Ministria, që nuk mund ta zëvendësojë arsimin formal, por është alternativë e mirë për plotësimin e kohës së fëmijëve derisa qëndrojnë në shtëpi. Nga MASH premtojnë se do të përgatitin plan për organizimin e mësimit deri në mbarimin e vitit shkollor, por hollësi paralajmërojnë për më vonë. Thonë se nuk është e realizueshme as zbatimi i mësimit onlajn.

“Për mësim klasik onlajn nuk ka rregullativë ligjore, por edhe zbatimi i llojit të këtillë të mësimit varet nga shumë faktorë. Jo të gjithë fëmijët munden, kanë dhe dinë të përdorin aparate të teknologjisë IT ose të kenë përqendrim të ndjekin mësim onlajn. Gjithashtu realizimi i mësimit onlajn, edhe për shkak të cilësisë së rrjetit të internetit e cila, deshëm ne apo jo, patjetër duhet të pranojmë se nga aspekti i cilësisë, dallojnë mjediset rurale nga ato urbane, ndërsa kjo do i vendoste nxënësit në pozitë të pabarabartë”, thonë nga Ministria e Arsimit.

Mësimi në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme është ndërprerë nga e mërkura e kaluar me vendim të Qeverisë. Shkollat në periudhën e jashtëzakonshme do të marrin direktiva për realizimin e mëtejshëm të procesit arsimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat