Maqedonia e Veriut - shënohet viktima e shtatë nga koronavirusi

Maqedonia

Maqedonia e Veriut - shënohet viktima e shtatë nga koronavirusi

Më: 31 mars 2020 Në ora: 01:56

Maqedonia e Veriut ka shënuar viktimën e shtatë nga virusi COVID-19. Bëhet fjalë për një burrë 79 vjeçar nga Dibra. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur të hënën se pacienti ishte diagnostikuar me koronavirus më 23 mars, ndërsa ishte shtruar në gjendje të rëndë në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup më 25 mars.

Të hënën janë lëshuar nëntë pacientë nga spitali në Shkup, prej tyre 8 nga Dibra dhe 1 nga Shkupi, të cilët gjatë dy testeve kanë rezultuar negativë. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe ata janë lejuar të shkojnë në shtëpi, njoftojnë autoritetet shëndetësore.

Ndërkohë, 26 raste të reja janë regjistruar në 24 orët e fundit me COVID-19 duke e ngritur në 281 numrin e të prekurve, sipas të dhënave deri në orën 12 të drekës së ditës së hënë.

Tetë punonjës të shëndetësisë dhe dy pacientë janë infektuar në entin për rehabilitim fizik në Shkup. Si rezultat, ky institucion është mbyllur. Minsitri i Shëndetësisë, Venko Filipçe u tha gazetarëve se 46 punonjës dhe gjashtë pacientë ishin testuar për koronavirus në këtë institucion. Nuk dihet mënyra e bartjes së virusit atje.

Ndërkohë, Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Slavjanka Petrovska bëri të ditur në një konferencë për media se një person, i cili duhej të qëndronte në vetëizolim, kishte infektuar disa të tjerë duke mos e përfillur masën e izolimit. Ai kishte hyrë në vend në fillim të muajit përmes pikëkalimit kufitar Preshëvë-Tabanoc dhe në vend se të zbatonte urdhrin për të qëndruar i mbyllur në shtëpi, ai kishte shkuar në punë dhe kishte patur një sërë kontaktesh me familjarë e kolegë. Autoritetet thonë se po ngrenë padi kundër tij.

Prej të hënës ka filluar të bëhet testimi edhe në Poliklinikën e Çairit në Shkup dhe pas dy ditësh pritet të bëhen edhe në një poliklinikë tjetër po në Shkup, duke e bërë institucionin e katërt në kryeqytet ku mund të kryhen testet për koronavirus. Ministri i Shëndetësisë, Filipçe tha se testet janë të mjaftushme dhe së shpejti priten edhe 20 mijë të tjera si donacionin nga jashtë.

Ministria ka shkarkuar drejtoren e Spitalit të Ohrit për shkak se spitali nuk e kishte pranuar një paciente të infektuar nga rrethi i Strugës, e cila vdiq në shtëpi para tre ditësh. Prokuroria po bën hetime lidhur me rastin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat