Ademi: Mësim online ka në të gjitha shkollat, do të ketë internet falas për fëmijët në rrezik social

Maqedonia

Ademi: Mësim online ka në të gjitha shkollat, do të ketë internet falas për fëmijët në rrezik social

Më: 1 prill 2020 Në ora: 12:23
Arbër Ademi

“Informatat nga terreni për mësimin online janë mjaft inkurajuese. Deri më tani nuk kemi pranuar informatë se në ndonjë shkollë fare nuk po organizohet mësim online. Ka sfida të caktuara me të cilat sistemi ynë arsimor po përballet edhe në rrethana normale, posaçërisht kur flasim për më të vegjlit – nga klasa e parë deri në të tretën, sepse të gjithë nuk dinë të manipulojnë dhe të gjithë nuk kanë pajisje teknologjike”.

Këtë e deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi. Gjatë një interviste në TV Sitel ministri tha se mbulim me internet ka në mbarë territorin e vendit, por ka problem me qasjen në internet në familjet pa të ardhura dhe për këtë shkak ministria me shkresë ka kërkuar nga shkollat të informojnë se sa fëmijë nuk kanë qasje në internet për shkak të kushteve materiale.

Ai tha se ka pasur moskuptim sepse shkollat menduan se do t’u ndahen IT pajisje dhe njoftuan për fëmijë që nuk posedojnë pajisje. Ademi shtoi se do t’i shfrytëzojnë edhe të dhënat nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për numër të saktë të familjeve në shtet që janë pa të ardhura, ndërkaq të cilat kanë nxënës, dhe të dhënat do t’i kombinojnë.

“Për internetin është pak më lehtë sepse me ministrin e Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski po mendojmë të ndajmë vauçerë për internet në mënyrë që të sigurohet internet falas për fëmijët në rrezik social. Sa i përket pajisjeve, kur themi mësim nga shtëpia, nuk mendojmë për pajisje më moderne, me kamera të posaçme dhe mikrofona etj. Në treg mund të gjenden edhe pajisje të përdorura me çmim modest. Mjafton të kemi telefon të mençur dhe gjithçka të ndjekim online. Prandaj edhe në dekretet që i miratuam përdorëm formulime të kujdesshme, themi: ‘… dhe çdo mjet për komunikim i cili do të mundësojë komunikim të dyanshëm”, theksoi ministri Ademi.

Ai sërish theksoi se mësimi online është i detyrueshëm dhe tashmë u bë formal dhe mësimdhënësit janë të kahëzuar se të gjitha përmbajtjet dhe temat duhet t’i planifikojnë dhe organizojnë njëjtë si edhe në mësimin e rregullt, klasik. Përmes e-platformës, e-postës dhe modeleve dhe mjeteve të tjera për komunikim elektronik duhet të mundësohet komunikim i dyanshëm mësimdhënës – nxënës dhe këmbim i të dhënave.

Lidhur me vlerësimin dhe kontrollimin e diturisë tek nxënësit, Ademi tha se mësimdhënësit mund të jenë shumë kreativë për të pamundësuar përshkrim të përgjigjeve, kështu që, tha, “kërkojmë kreativitet dhe përkushtim maksimal nga të gjitha palët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat