Mijëra euro humbje, ish-drejtori i parkingjeve të Tetovës tregon arsyet

Maqedonia

Mijëra euro humbje, ish-drejtori i parkingjeve të Tetovës tregon arsyet

Më: 11 maj 2020 Në ora: 18:40
Foto ilustrim

Ish drejtori i parkingjeve të Tetovës, Fejsal Beadini, keq menaxhimin e Ndërmarrjes e ka arsyetuar me mungesën e administratës, ndërsa shkeljet e procedurës, i ka konsideruar si të pa qëllimshme.

“Në lidhje me huamarrjen e fondeve, të njëjtat janë shfrytëzuar për lëshimin e rrogave të të punësuarve, ngase ndërmarrja kishte probleme me gjenerimin e fondeve financiare për më shumë se 1 muaj gjatë dimrit të ashpër në vitin 2017, dhe kjo nga fakti se rentabiliteti i ndërmarrjes ndikohet drejtpërdrejtë nga qasja e hapësirave për parkim zonal në komunën e Tetovës” është shprehur Beadini.

Ndërkohë drejtori aktual i Parkingjeve të qytetit Sedat Alili nuk mohon ta ketë gjetur ndërmarrjen me lëshime të shumta në procedurë, por shprehet se, të njëjtat janë eliminuar.

“Ndërmarrja në këtë kohë nuk është ngarkuar me huamarrje nga palë të treta, dhe kemi eliminuar një numër të konsiderueshëm të parregullsive më të vogla që janë objekt i raportit nga ana e Entit Shtetëror të Revizionit për revizion” – deklaroi për Alsat, Alili.

Në vitin 2016, 2017 dhe 2018 Parkingu i qytetit- Tetovë, sipas Entit Shtetëror të Revizionit ka regjistruar humbje prej mbi 150 mijë euro, ndërsa drejtori në detyrë nuk ka ndërmarrë aspak masa për ta mbuluar vrimën në buxhetin e ndërmarrjes. Gjithashtu Revizioni ka konstatuar se në vitin 2018 pa procedurë për prokurim publik për 30 mijë euro ndërmarrja ka blerë një automjet merimangë dhe pjesë për kompjuterë. Revizorët në raportin e tyre kanë regjistruar se transaksionet financiare dhe informatat për atë vit nuk janë në pajtim me rregullativat relevante ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat