Partitë politike në Maqedoninë e Veriut debatojnë mbi datën e zgjedhjeve

Maqedonia

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut debatojnë mbi datën e zgjedhjeve

Më: 17 maj 2020 Në ora: 06:23
Ilustrim

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut po debatojnë në lidhje me datën e zgjedhjeve të parakohshme, pasi u anulua 12 prilli për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por, rekomandimi i Komisionit për sëmundjet ngjitëse për protokollin në zgjedhjet e pritshme po nxitë edhe më tepër debate në publik dhe brenda vetë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nëse procesi është i realizueshëm në këtë periudhë kur nuk ka përfunduar kriza e COVID-19. Eksperti Subhi Jakupi thotë se është me shumë rëndësi që në zgjedhje të ketë vëzhgues të OSBE-së dhe ODIHR-it.

Ish-nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Subhi Jakupi thotë se ekspertët kanë parashikuar protokolle në zgjedhje gjatë krizave por jo në një të ardhme të afërt, siç parapëlqejnë disa subjekte politike në Maqedoninë e Veriut. Ai thotë se çdo ndryshim eventual në procesin e zgjedhjeve duhet të bëhet përmes ndryshimit të Kodit zgjedhor.

“Gjithsesi, çdo ndryshim që duhet bërë nëse jepen propozime, duhet të ketë pasoja dhe ndryshime të Kodit zgjedhor, me që tani nuk kemi funksionim të parlamentit; Një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm qeveria me vendime me dekret të plotëfuqishëm”, thotë z.Jakupi.

Zoti Jakupi, i cili është anëtar i Gjykatës Kyshtetuese, por në këtë bisedë me Zërin e Amerikës flet në cilësinë e ekspertit të zgjedhjeve, thotë se nuk është kjo krizë e pandemisë që mund të lërë hapësirë për manipulime apo parregullsi në procesin e pritshëm zgjedhor por është mentaliteti i përgjithshëm sidomos i politikanëve, teksa thekson se nuk pret parregullsi në zgjedhjet që do të mbahen. Ai thotë se duhet gjetur një zgjidhje më e mirë për organizaimin e zgjedhjeve që ato të mos kontestohen nga asnjë parti politike apo nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Ndërkohë që autoritetet maqedonase presin përgjigje nga zyra e OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve, teksa nuk dihet ende nëse ODIHR do të vijë për të vëzhguar procesin në një situatë ku nuk ka përfunduar pandemia, zoti Jakupi vlerëson se Maqedonia e Veriut nuk do të mund të mbante zgjedhje pa praninë e vëzhguesve të ODIHR-it dhe OSBE-së, sepse raporti i tyre është me shumë rëndësi.

"Ne mund të bëjmë zgjedhje, por pa prezencën e tyre nuk do të jetë relevante me atë të cilën ne e bëjmë si proces, prandaj është shumë me rëndësi që OSBE, ODIHR-i të jetë prezent dhe vlerësimi i tyre, raporti i tyre është relevant për zgjedhje në përgjithësi, prandaj nuk mund t’i shmangemi një procesi pa vëzhguesit ndërkombëtarë, sidomos OSBE-ODIHR, që është më kryesori", thekson eksperti.

Nga ana tjetër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, shumica e anëtarëve të të cilit janë zgjedhur nga politika, nuk ka një qëndim të përbashkët për datën e zgjedhjeve. Pushteti dëshiron që ato të jenë kah mesi ose fundi i qershorit. Por, ka një sërë mospërputhjesh, përkatësisht afatesh ligjore që mund të dalin për rrjedhojë të situatës. Po ashtu, pastrimi dhe përditësimi i listave zgjedhore është një çështje tjetër, me që regjistri zgjedhor përfshinte qytetarët me të drejtë vote deri më 12 prill, data e caktuar fillimisht e zgjedhjeve por e anuluar për shkak të koronavirusit.

“Duhet të mbahen zgjedhjet 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, por kjo çështje nuk i jep mundësi ndërhyrjes në listat zgjedhore dhe pa pastrimin e listave zgjedhore nuk do të kemi një proces të përfshirjes të të gjithë votuesve; Nëse bëhet ndonjë ndryshim nga qeveria për këtë çështje në Kodin zgjedhor, atëherë do të kemi një afat tjetër që niuk do të jetë më pak se 45 der në 47 ditë të parashikuara për pastrimin e listave zgjedhore”, thotë Z. Jakupi.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Oliver Derkovski i ka thënë medias në Shkup se do te duheshin 100 mijë nejrëz të angazhohen në ditën e zgjedhjeve dhe të jenë të pranishëm gjithë ditën në qendrat e votimit për të siguruar kushtet e funksionimit të protokolleve të cilat duhet t’i sjellë KSHZ-ja.

Në fillim të javës, drejtuesit e shtatë partive parlamentare do të takohen në zyrtat e presidentit Stevo Pendarovski lidhur me datën e zgjedhjeve.

Social-demokrati Zoran Zaev dëshiron që zgjedhjet të mbahen në qershor, kur pritet të bie virulenca e koronavirusit, ndërsa drejtuesi VMRO-DPMNE-së konservatore Hristijan Mickovski thotë se refuzon të bëhet kryeministër i vendit në një palë zgjedhje të detyrueshme për qytetarët në një kohë kur do të kishte pasoja në njerëz për shkak të virusit.

Edhe partitë shqiptare thonë se shëndeti i qytetarëve është më me rëndësi, por ato mund të mbështesin propozimin e Social-demokratëve lidhur me datën, sipas analistëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat