Gjendja e jashtëzakonshme përfundon të shtunën, data e zgjedhje ende nuk dihet

Maqedonia

Gjendja e jashtëzakonshme përfundon të shtunën, data e zgjedhje ende nuk dihet

Më: 28 maj 2020 Në ora: 12:19
Foto Ilustrim

Gjendja e jashtëzakonshme 14-ditore përfundon të shtunën, ndërsa partitë janë ende pa marrëveshje për datën e zgjedhjeve.

Qeveria po bën vlerësime nëse do të kërkojë vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Nuk ka asnjë paralajmërim për takim të ri të liderëve te presidentin Stevo Pendarovski, pasi në dy të mëparshmet nuk arritën marrëveshje për terminin e zgjedhjeve.

Pushteti insiston për zgjedhje në afatin e parë të mundshëm kur rreziku i përhapjes së infeksionit të reduktohet në minimum. Sipas LSDM-së, kjo është e nevojshme dhe e përgjegjshme, pikërisht për shëndetin e qytetarëve, për rifillimin e plotë të ekonomisë së Maqedonisë, por edhe për mbrojtjen e demokracisë përmes kontrollit të duhur të Qeverisë dhe sigurimin e institucioneve funksionale demokratike. Kjo është arsyeja pse ata besojnë se zgjedhjet janë zgjidhje, dhe jo problem. Sipas tyre, koha e përshtatshme për zgjedhjet është para fillimit të verës, duke potencuar datën e 21 qershorit si termin.

Zgjedhjet e shpejta, nga ana tjetër, nuk janë zgjidhje për VMRO-DPMNE, por problem. Ata akuzojnë se duke insistuar në zgjedhje në kohë kur pandemia nuk është shuar akoma, shëndeti i qytetarëve rrezikohet. Sipas tyre, pushteti që nga momenti i parë i pandemisë të koronavirusit, ka zhvilluar politikë në vend të masave konkrete për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Ata mbeten në qëndrimin për zgjedhje në fund të gushtit ose shtatorit.

Të dy partitë thonë se janë të gatshëm për konsensus dhe nuk e përjashtojnë mundësinë për marrëveshjeje, megjithëse insistojnë pala tjetër të bëjë lëshime. Si kompromis i mundur në media përmendet 5 korriku, por zyrtarisht nuk ka konfirmim për këtë.

Deri në fund të javës Qeveria duhet t’i përfundojë analizat dhe të vendos nëse do të kërkojë vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Vendimi i presidentit të vendit është nëse ai do ta vazhdojë, por në kontekstin e zgjedhjeve të Qeverisë, theksojnë se sipas kushtetutës dhe ligjeve, në momentin kur mbaron gjendja e jashtëzakonshme, të gjitha aktivitetet zgjedhore që u ndërprenë për shkak të pandemisë së koronavirusit vazhdojnë.

Për kryeministrin Oliver Spasovski, zgjedhjet caktohen nga dita e përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Ai beson se zgjedhjet duhet të mbahen 22 ditë pasi të mbarojë gjendja e jashtëzakonshme.

Spasovski thotë se ka afat kushtetues prej 60 ditësh, gjë që tregon se nga momenti i shpërbërjes së Kuvendit, zgjedhjet duhet të mbahen në afat prej 60 ditëve. Sipas këtij afati, kanë mbetur 22 ditë për mbajtjen e zgjedhjeve, vlerëson Spasovski. Ai pret dialog midis partive politike dhe në bazë të këtij dialogu vendimi do të merret brenda afateve të parashikuara.

Për liderin e LSDM-së Zoran Zaev, shtetit dhe qytetarët u nevojiten pushtet legjislativ dhe ekzekutiv, Kuvendi dhe qeveria politike me kapacitet të plotë dhe legjitimitet të plotë, të ri nga qytetarët që të përgatitur ta mirëpresin valën e re të mundshme të koronavirusit në vjeshtë.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski konsideron se data për mbajtjen e zgjedhjeve duhet të sillet me konsensus. Nuk konfirmoi se 5 korriku është datë e mundur për zgjedhje rreth të cilit do të pajtoheshin partitë politike, por tha se ka kanale për bisedime mes tyre. Përsëriti se qëndrimi i partisë është se shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm dhe se zgjedhje duhet të mbahen kur ai nuk do të rrezikohet.

Qëndrimet tona lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, tha, opinioni i vendit i din, si dhe pozita jonë se kompromis duhet të arrihet për interesin e qytetarëve dhe të shtetit, por jo në llogari të shëndetit të qytetarëve.

“Kanali i komunikimit ekziston. Unë nuk do të dëshiroja në mënyrë shtesë të komentoj lidhur me kanalin për komunikim i cili ekziston sepse, nuk jemi të njëjtët dhe nuk jemi marrë të gjithë me një lloj të tillë të brifingjeve. Nëse ka marrëveshje dhe kur do të ketë marrëveshje ne do t’ia kumtojmë opinionit”, tha Mickoski.

I përsëriti se VMRO-DPMNE-ja nuk do të marrë pjesë në një proces të tillë zgjedhor më 21 qershor.

Zgjedhjet më 5 korrik janë termin i pranueshëm për Partinë Liberal-Demokrate (PLD), tha dje kryetari i partisë Goran Milevski.

“E mbështesim nismën e BDI-së që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 5 korrik”, tha Milevski.

Partitë e bllokut politik shqiptar presin marrëveshje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, edhe pse BDI publikisht u deklarua për zgjedhje të shpejta varësisht nga gjendja me Kovid-19, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë për zgjedhje më 26 korrik, ndërsa Besa kundër prolongimit të zgjedhjeve dhe do ta pranojë konsesnsusin eventual partiak.

Fillimisht, zgjedhjet u caktuan për 12 prill, por për shkak pandemisë me koronavirusin dhe gjendjen e jashtëzakonshme ato u shtynë me dekret të Qeverisë me fuqi ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat