Numri i të infektuarve me coronavirus në Maqedoni tejkaloi shifrën 5.000, për herë të parë ka numër dyshifror të vdekjeve

Maqedonia

Numri i të infektuarve me coronavirus në Maqedoni tejkaloi shifrën 5.000, për herë të parë ka numër dyshifror të vdekjeve

Më: 21 qershor 2020 Në ora: 10:04
Ilustrim

Për 24 orë në Maqedoninë e Veriut humbën jetën 11 persona nga coronavirusi, që është numri më i madh dyshifror që nga fillimi i epidemisë para katër muajve.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme ka pasur 185 raste të reja prej, ndërsa 96 prej tyre kanë qenë në Shkup. Numri i të diagnostifikuarve arriti shifrën 5.000.

Në mesin e të infektuarve është edhe kryetari i Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov dhe e ëma e kreut të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, ndërsa prej sot klinika në ‘Kozle’ do të pranojë të infektuar.

Siç njoftuan nga MSH, nga 11 të vdekurit e djeshëm, tetë kanë qenë pacientë në spitalin ‘8 shtatori’ të moshës nga 53 deri më 76. Tre persona humbën jetën në Kumanovë, Shtip dhe Tetovë të moshës 78, 63 dhe 62. Me këto viktima, numri i të vdekurve nga virusi që nga fillimi i epidemisë arriti 233.

Pas Shkupit si vatra më e madhe, raste të reja ka Struga (20), Dibra (18), Tetova (14), Resnja 8, 7 në Ohër, 4 në Shtip, tre në Kërçovë, me nga dy në Kumanovë, Veles, Manastir, Kavadar, Gostivar dhe Shën Nikolla dhe me nga një rast në Prilep, Probishtip dhe Kriva Pallnaka.

Nga të dhënat e djeshme kishte edhe 41 persona të shëruar prej të cilëve më së shumti kishte në Shkup. Raste aktive momentalisht ka 2.868 prej të cilëve 1.653 janë në Shkup. Numër treshifror të rasteve aktive ka në Tetovë (316), Kumanova (229) dhe Shtip (207).

Mes komunave të Shkupit, Çairi ende është në krye të listës me numrin më të madh të rasteve aktive (363), ndërsa më pas vijojnë Gazi Baba me 1488, Aerodromi me 1129, Komuna Qendër (126), Saraj (125) dhe Karposhi me 115 raste.

Krahas Klinikës Infektive dhe spitalit ‘8 shtatori’ që funksionon si Covid-qendër, pranim të pacientëve me coronavirus nga sot do të pranojë edhe Spitali për Fëmijë në ‘Kozle’.

Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se ky spital do të pranojë pacientë me coronavirus dhe se do të ketë 60 vende të lira, ndërsa në këtë spital do të pranohen pacientët me gjendje më të lehtë shëndetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat