“Kumanova”, asgjë nga hetimi ndërkombëtar

Maqedonia

“Kumanova”, asgjë nga hetimi ndërkombëtar

Më: 28 qershor 2020 Në ora: 21:21
Grupi Kumanova

Gjykata Supreme nuk ka caktuar seancë dëgjimore publike për Lagjen e Trimave edhepse avokatët ankesat i kanë dërguar që vitin e kaluar. Avokati Naser Raufi pret që Supremja ta kthejë rastin në rigjykim, në mënyrë që të dëshmojnë edhe funksionarët e BDI-së në mesin e të cilëve edhe vet lideri i partisë Ali Ahmeti. Raufi madje thotë se nuk do të kishte nevojë as për hetim ndërkombëtar nëse me kohë do të dëshmonte Ahmeti.

“Ishin të propozuar të gjithë që i dëgjuam në ato biseda në mesin e të cilëve kyç ishte edhe lideri i BDI-së, por edhe persona tjerë që kanë marrë pjesë në ato bisedime. Nuk do të kishte nevojë për një ndihmë ndërkombëtare, apo përfshirje ndërkombëtare nëse propozimet tona do të pranoheshin, sigurisht se do të zbardhej, por arsyeja e vetme pse ata nuk u ftuan është pikërisht kjo që mos të zbardhet rasti. Unë pres që vetëm me ndryshimin e asaj qeverie mund të arrihet zbardhja e rastit. Mendoj se për sa kohë që është ky konstalacion, nuk do të ketë zbardhje të rastit. – A jeni duke aluduar në BDI-në këtu? – Saktë”- deklaroi Naser Raufi, Avokat

Drejtori i Agjencisë së Zbulimit Erolld Musliu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se nuk janë zhdukur të gjitha sekretet për lagjen e trimave, me vrasjen e Beg Rizajt e Mirad Ndrecajt. Ai tha se në Prokurori kanë dorëzuar të dhëna plotësuese për ngjarjet në Lagjen e trimave.

E për këtë ka reaguar në facebook edhe njëri nga pjesëtarët e grupit të Kumanovës, Shek Hallaçi: “Është e vërtetë se nuk janë zhdukur derisa kemi individ që kanë njohuri se kush qëndron prapa këtij kurthi të Gushincës dhe Lagjes së Trimave”, ka shkruar Hallaçi.

Pothuajse një vit më parë, Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktgjykimin e “Lagjes së trimave” të dhënë në vitin 2017 nga Gjykata Penale. Shtatë anëtarët e grupit të armatosur janë dënuar me burgim të përjetshëm, 13 persona deri në 40 vjet burg, dhe katër të liruar. Gjatë përleshjes së armatosur u vranë tetë pjesëtarë të policisë dhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat