Maqedoni: Përfaqësimi i shqiptarëve në pozitat udhëheqëse shënon ngecje

Maqedonia

Maqedoni: Përfaqësimi i shqiptarëve në pozitat udhëheqëse shënon ngecje

Më: 11 korrik 2020 Në ora: 18:04
Ixhet Memeti

Çështja e përfaqësimit të drejtë as vitin e kaluar nuk ka shënuar përmirësim. Avokati i Popullit, Ixhet Memeti konfirmoi për “Alsat” se raporti i ri që do të publikohet në fund të muajit, tregon nivel të ulët të punësimit të shqiptarëve në shumë institucione, madje ngecje kur bëhet fjalë për pozita udhëheqëse.

“Ajo që është karakteristike për vitin 2019 është se numrat përafërsisht ngelen në nivelin e njëjtë të raportit të vitit 2018. Nuk vërehet ndonjë përmirësim i dukshëm në përfaqësim kualitativ të të gjitha etniteteve në institucionet publike në vendin tonë. Për fat të keq në sferën e punësimeve në pozita udhëheqëse nuk ka avancim. Ka një stagnim në vitin 2019. Jo vetëm në Këshillin gjyqësor, ka mjaftë organe apo institucione në të cilat përfaqësimi është në nivel shumë të ulët”, tha Ixhet Memeti, Avokati i Popullit.

Në vend të progresit, niveli i përfaqësimit të drejtë së fundmi kishte shënuar një regres të lehtë, nga 19,2% në vitin 2016, në 19% në vitin 2018. Në 2018-tën ishte e gjatë lista e institucioneve ku të punësuarit shqiptarë nuk përbëjnë as 10%-shin nga numri i përgjithshëm i të punësuarve.

Përfaqësimi i shqiptarëve në institucione
• Kabineti i Presidentit 8,3 % shqiptarë të punësuar
• Komisioni Anti-Korrupsion 9,1% shqiptarë të punësuar
• Gjykata Kushtetuese 6,7 % shqiptarë të punësuar
• Gjykata Supreme 7,1% shqiptarë të punësuar
• Akademia e Shkencës dhe Arteve 2,8 % shqiptarë të punësuar
• SHA për Ndërtim dhe Ekonomizim me Hapësira Banimi dhe Afariste me rëndësi për Republikën 2,4 % shqiptarë të punësuar
• MEPSO 2,0% shqiptarë të punësuar
• Shoqëria Aksionare për Transport Hekurudhat 3,0% shqiptarë të punësuar
• Agjencia për Planifikim Hapësinor 3,1% shqiptarë të punësuar
• Komisioni Shtetëror i Ankesave për Furnizime Publike 6,3% shqiptarë të punësuar
• Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë 7,1% shqiptarë të punësuar
• Komisioni për Letra me Vlerë 4,0% shqiptarë të punësuar
• Agjencia për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet 8,1% shqiptarë të punësuar
• Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve 4,0% shqiptarë të punësuar
• Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore 3,4% shqiptarë të punësuar
• Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike 5,5% shqiptarë të punësuar
• Regjistri Qendror 9,0% shqiptarë të punësuar
• Burgu Kumanovë me Repartin e Hapur – Kriva Pallankë 4,3% shqiptarë të punësuar

Kishte edhe institucione me 0% shqiptarë të punësuar, si: Agjencia e Filmit, Enti Gjeologjik, Instituti për Standardizim i, Instituti për Inxhinieri të Tërmeteve dhe Sizmologji Inxhinierike, Qendra për Zhvillimin e Rajonit Malor të Shkupit. Madje kur bëhet fjalë për vendet udhëheqëse, situata është edhe më alarmante me vetëm 8,7% në Ministrinë e Bujqësisë, 5,9% në Ministrinë e Shoqërisë Informatike, 9,4% në Ministrinë e Mbrojtjes, 7,5% në Ministrinë e Financave. Memeti tha se derisa raportet e Avokatit të Popullit në shtetet demokratike janë bazë për krijim të politikave, në vendin tonë ato lexohen pak dhe do të na duhet kohë që të rritet niveli. Përkundër shifrave, BDI-ja gjatë fushatës po paraqet një realitet ndryshe, duke pretenduar se pozita e shqiptarëve në shtet është përmirësuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat