Në spotin e LSDM-së nuk kërcënohen shqiptarët, media të mos bëjë shpifje

Maqedonia

Në spotin e LSDM-së nuk kërcënohen shqiptarët, media të mos bëjë shpifje

Më: 12 korrik 2020 Në ora: 20:28
Ilustrim

Verifikimi i informacionit paraqet përgjegjësi themelore profesionale e çdo media, sepse në atë formë ajo do të dëshmojë se e ka informuar saktë dhe në mënyrë objektive publikun. Në rast se media nuk e verifikon burimin dhe publikon informacion jo të saktë, atëherë ajo nuk ka bërë informim, por ka shpifur. I tillë është rasti me median artikullin e së cilës do ta recensojmë.

Postimi

Linku original i artikullit: “Spoti reklamues i LSDM- së është aluzion kërcënimi për shqiptarët” 

Data e publikimit: 29.06.2020

Data e recensimit: 10.07.2020

Recensuese: Fatbardha Curri

Titull që manipulon me ndjenjat e publikut

Manipulimi i publikut ka filluar qysh në titull, pasi transmeton informacion se “Spoti reklamues i LSDM- së është aluzion kërcënimi për shqiptarët”. Kjo është gënjeshtër për shumë arsye:

E para – media ka përcjellë qëndrim të një personi dhe askund nuk e ka theksuar se bëhet fjalë për opinion, ndërkaq atë e paraqet si artikull gazetaresk. Për këtë ne kemi vendosur ta trajtojmë si artikull gazetaresk.

E dyta – media askund nuk e përçon mesazhin e plotë të spotit publicitar, por ka bërë një fotografi nga një sekuencë disa sekondëshe e spotit ku nga ngjarja e sulmeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Media ka përdorur konceptin e manipulimit  “Fakte selektive” dhe nëpërmjet tij ka bërë përpjekje të tregojë fakte që flasin për mbështetje të një pretendimi, duke injoruar në të njëjtën kohë faktet që që janë kundër të njëjtës. Do të thotë se media, me sekuencën disa sekondëshe është përpjekur të dërgojë mesazhin se “prezenca e pamjeve të Lagjes së Kumanovës, paraqet kërcënim ndaj shqiptarëve nga LSDM-ja”. Kjo është gabim.

“Spoti reklamues i LSDM- së është aluzion kërcënimi për shqiptarët. Kjo sekuencë filmike në skrinshop,dhe disa të tjera nga aksionet policore, është marrë nga filmimi i MPB nga ngjarjet e Kumanovës, që njëherësh mund të asociojë në ngjarjet e represionit policor të viteve 90 në Bit-pazar, në Ladorishtë, në Reçicë të Vogël, në Gostivar e gjithandej ku i kurdisnin inkursionet policore për të shkelë vullnetin politik shqiptar për dinjitet të barabartë..!”, thuhet mes të tjerash në artikullin që e recensojmë.

E treta – sekuencën e spotit e ka nxjerrë nga konteksti, sepse spoti publicitar flet për rëndësinë e anëtarësimit të vendit tonë në NATO dhe për atë se nëse vjen në pushtet LSDM, nuk do të ketë më tensione etnike e religjioze dhe ndarje politike. Në asnjë moment, në spotin e LSDM-së nuk përçohet mesazh me të cilin kërcënojnë shqiptarët.

Për ta pasur më të qartë spotin, do ta përcjellim të plotë mesazhin e tij:

“Në çfarë shteti duam të jetojmë? Në një shtet të izoluar ku nxiteshin tensione etnike dhe religjioze dhe ndarje politike, apo në një shtet miqësor i cili i zgjidhi çështjet prej dekadave me fqinjët të cilët na i hapën dyert për anëtarësim në NATO dhe BE”, thuhet mes tjerash në spotin publicitar.

Nga këtu vlerësojmë se media ka bërë shkelje të parimeve gazetareske, pasi që ka përpunuar informacione duke nxitur dhunë dhe diskriminim mbi baza etnike.

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”, thuhet në Kodin etik të gazetarëve.

Nxitja e gjuhës së urrejtjes ka për qëllim të ul mendimin kritik duke manipuluar me emocione. Në doracakun “Mendim kritik për qytetarë me aftësi mediatike”, vlerësohet se mesazhet me shtrembërime morale dhe emocionale zakonisht përdoren për të vlerësuar zhvillimet shoqërore dhe politike dhe zakonisht gjendet në rrjetet sociale.

Për lexuesit: Informimi nuk duhet të bazohet në fakte selektive
Informimi i saktë nuk është përgjegjësi vetëm e mediave, por edhe e qytetarëve. Kjo sepse si qytetarë, ne e kemi përgjegjësinë sociale që të informojmë dhe përçojmë informacione që janë të sakta dhe të bazuara në fakte të verifikuara. Në rastin tonë, përveç medias, nëse ndokush tjetër është treguar i papërgjegjshëm janë edhe qytetarët të cilët kanë besuar në informacionin. Prandaj, informohuni nga më shumë media dhe mundohuni ta verifikoni vetë burimin e informacionit. Në këtë rast, si ne edhe qytetarët duhet të hyjnë dhe ta shohin dhe dëgjojnë vetë spotin publicitar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat