Përfundon numërimi: Shqiptarët me 32 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë!

Maqedonia

Përfundon numërimi: Shqiptarët me 32 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë!

Më: 15 korrik 2020 Në ora: 11:06
Ziadin Sela dhe Ali Ahmeti

(E plotësuar) - Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, partitë politike shqiptare do të kenë 32 deputetë.

Kjo është një ngjarje historike pasi është hera e parë që nga zgjedhjet e para parlmentare të vitit 1991 në Maqedoninë e Veriut që shqiptarët kapin këtë numër.

Deri më tani, numri më i lartë ka qenë 29 deputetë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2008.

Bashkimi Demokratik për Integrim nën udhëheqjen e Ali Ahmetit do të ketë 15 deputet, pesë më shumë se sa në përbërjen e kaluar. Numrat e kësaj partie pritet të jenë vendimtar pë Qeverinë e re. Në njësinë e gjashtë BDI ka triumfuar me 7 deputet, në njësinë e pestë me 3 deputet, në të dytë me 3 dhe në të parën me 2 deputet.

Koalicioni mes dy partive, Aleanca për shqiptarët e Ziadin Selës, do të ketë 12 mandate deputetësh, një rritje e madhe e numrave në Parlament në krahasim me përbërjen e kaluar parlamentare. Në njësinë e gjashtë keto dy parti kanë ftuar 6 deputetë, në të pestën 1 deputet, në të dytën 3 dhe në njësinë e parë 2 deputet.

Lëvizja BESA e Bilall Kasamit e cila ishte në koalicion me LSDM-në e Zoran Zevit, arriti të marrë katër deputet.

Partia Demokratike e Menduh Thaçit mori vetëm një deputet në njësinë e gjashtë zgjedhore.

 BDI 15 deputetë, ASH e Zeadin Selës 12, PDSH 1 deputet

Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja në përbërjen e re parlamentare do të ketë 46 deputetë, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja 44, BDI-ja 15, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E Majta dy dhe PDSH-ja një deputet.

Kështu tregon simulimi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në bazë të rezultateve fillestare jozyrtare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nga 3.421 vendvotime të përpunuara nga gjithsej 3.480 vendvotime. Nëntë partitë dhe koalicionet e tjera që morën pjesë në zgjedhje nuk kanë fituar mandat deputetësh.

Koalicioni i LSDM-së ka më shumë vota 324.084 ose 36.12 për qind, përpara koalicionit të VMRO-DPMNE-së me 312.745 vota ose 34.85 për qind, BDI 101.432 ose 11.3 për qind, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 76.425 ose 8.57, E Majta 37.420 ose 4.17, ndërsa PDSH 13.563 ose 1.51 për qind.

Image

***

Partia maqedonase Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe ajo shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë në epërsi nga votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura të mërkurën në kushte pandemie.

Nga përpunimi i 93.96 për qind të vendvotimeve, LSDM-ja e udhëhequr nga Zoran Zaev ka fituar 36.13% e pasuar nga VMRO DPMNE e Hristijan Mickovskit me 34.65%.

Nga partitë shqiptare, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, BDI ka siguruar 11.57 për qind të votave kurse opozita e drejtuar nga koalicioni Aleanca dhe Alternativa kanë marrë 8.79 për qind të votave. Partia e krahut të majtë “Levica”, ka fituar 3.96% për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit 1.48% për qind.

Rezultatet përfundimtare pritet të shpallet gjatë ditës së enjte.

Në bazë të këtyre rezultateve Zoran Zaev (LSDM) do të fitojë mandatin për të formuar një qeveri të re.

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupço Nikollovski shpalli fitoren e koalicionit “Mundemi”, me së paku dy deputet më shumë se VMRO DPMNE-ja.

“Fitore, Fitore. Nga rezultatet e përpunuara kemi arritur fitore të pastër në zgjedhjet më të mira të mbajtura deri më tani. Fitorja jonë mund të jetë edhe më e madhe deri në fund të numërimit të votave”, ka deklaruar Nikollovski

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se fitorja e partisë së tij në këto zgjedhje, është fitore e të gjithë shqiptarëve.

“Me këtë fitore të BDI-së kanë fituar shqiptarët dhe nuk ka humbur askush sepse ne u jemi dalë zot të vërtetë ashtu siç kemi qenë edhe më parë. Jemi fitues absolut të zgjedhjeve”, ka deklaruar Ahmeti.

Fitore në disa qytete ka shpallur edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, por ato kanë akuzuar pushtetin për parregullsi të shumta zgjedhore, në disa fshatra të Shkupit dhe në rajonin e Likovës.

“Përkundër presioneve të shumta dhe frikësimit të votuesve, ne presim fitore nga këto zgjedhje”, ka deklaruar Zijadin Sela.

Në zgjedhje kanë marrë pjesë 15 parti politike dhe koalicione ndërsa nga gjashtë njësitë zgjedhore, do të zgjidhen nga 20 deputetë apo 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Në zgjedhjet që kanë zgjatur deri në orën 21.00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar rreth 51 për qind nga 1.8 milion qytetar më të drejt vote.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, procesin zgjedhor e ka vlerësuar të rregullt dhe demokratik, me disa parregullsi të vogla që sipas kryetarit të KSHZ-së, nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

"Mendoj se ne përgjithësi mund të jemi të kënaqur nga pasqyra që kemi për këtë proces zgjedhor”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.

Procesin zgjedhor u mbikëqyr nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj.

Ministria e Punëve të Brendshme, angazhoi rreth 6 mijë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. MPB-ja njoftoi se ka pranuar 11 denoncime për prishje të procesit zgjedhor.

Zgjedhjet e së mërkurës ishin zgjedhjet e dhjeta parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Zgjedhjet duhej të mbaheshin më 12 prill, por ato u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe deri në mbajtjen e tyre vendi është drejtuar nga një qeveri teknike, pjesë e së cilës ka qenë edhe opozita maqedonase.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019 pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.

***

Komisioni Shtetërorë i Zgjedhjeve ne Maqedoninë e Veriut njoftoi se tashmë janë numëruar 93.96% të votave.

Deri më tani, koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja prin me 36.13 për qind.

VMRO-DPMNE me 34.65 për qind, BDI me 11.57 për qind, dhe koalicioni ASH- Alternativa me 8.79 për qind.

Partia e Majta ka 3,96 për qind, PDSH 1.48 për qind dhe Integra 1.33 për qind.

***

Nga votat e numëruara deri tani në zgjedhhet parlamentare të Maqedonisë së Veriut rezulton se nga partitë shqiptare BDI ka marrë 12 deputer dhe synon për 13.

Koalicioni i Alternativës me 8 deputetë duke synuar të 9, PDSH 1 deputet.

LAJMI I FUNDIT: Ja rezultatet nga 80% e votave të numëruara

Nga përpunimi i rezultateve në 2,773 vendvotimeve nga gjithsej, respektivisht nga rreth 80 për qind e vendvotimeve prin koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja prin me 36.54 për qind, VMRO-DPMNE me 35.61 për qind, BDI me 10.06 për qind, dhe koalicioni ASH- Alternativa me 8.31 për qind. Partia e Majta ka 4.03 për qind, PDSH 1.4 për qind dhe Integra 1.37 për qind.

Rreth 60% të votave të numëruara: LSDM 36.78%, BDI 10.34%

Nga përpunimi i rezultateve në 2,274 vendvotime deri në ora 23:00, respektivisht nga rreth 60 për qind e vendvotimeve prin koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja prin me 36.78 për qind, VMRO-DPMNE me 35.71 për qind, BDI me 10.34 për qind, dhe koalicioni ASH- Alternativa me 8.16 për qind. Partia e Majta ka 4.15 për qind, Integra 1.38 për qind dhe PDSH 1.33 për qind.

13 për qind e votave të numëruara, prin LSDM-ja me 34 %

Vetëm disa minuta pasi dolën informacionet e para nga përpunimi i votave në terren, faqja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve u bllokua. 

Nga ajo çfarë u pa për herë të fundit nga përpunimi i rezultateve në 566 vendvotime, ose 12 ose 13 për qind e vendvotimeve u vërejt se koalicioni “Mundemi” e udhëhequr nga LSDM-ja prin me 34 për qind, VMRO-DPMNE me 33 për qind, BDI 12 për qind, dhe koalicioni ASH- Alternativa 10 për qind.

​Mbyllen vendvotimet në Maqedoninë Veriore, dalja në votime 50,86 për qind

Deri në ora 20:40, në Maqedoninë Veriore gjithsej kanë votuar 922 678 qytetarë apo 50.86 për qind e votuesve.

Dalje më e madhe është regjistruar në njësinë e katërt zgjedhore kurse dalja më e ulët është regjistruar në njësinë e gjashtë zgjedhore.

Procesi i votimit në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të parë po zhvillohet tre ditë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Në dy ditët e kaluara votuan personat e infektuar me COVID-19 dhe ato në vetizolim, si dhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat në shtëpi pleqsh, të burgosurit dhe personat e zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur.

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut,  KSHZ: Dalja në votime deri në ora 19:00, është 45.77 për qind

Deri në ora 19:00, në Maqedoninë Veriore gjithsejtë kanë votuar 830.370 qytetarë apo 45.77 për qind e votuesve.

Dalje më e madhe është regjistruar në njësinë e katërt zgjedhore kurse dalja më e ulët është regjistruar në njësinë e gjashtë zgjedhore.

Njësia e Parë Zgjedhore 47.4%

Njësia e Dytë Zgjedhore 43.04%

Njësia e Tretë Zgjedhore 51.52%

Njësia e Katërt Zgjedhore 53.44%

Njësia e Pestë Zgjedhore 44.89%

Njësia e Gjashtë Zgjedhore 35.49%

Sipas Njësive Zgjedhore, komunat me dalje më të madhe janë:

1. 47.4% – Makedonski Brod

2. 43.4% – Butel

3. 51.52% – Berovë

4. 53.24% – Gjevgjeli

5. 44.89% – Vevçani

6. 35.49% – Bërvenicë

Maqedoni e Veriut: Dalja e votuesve deri në ora 17:00 është 38.78 për qind

Deri në ora 17:00, në Maqedoninë Veriore kanë votuar gjithsejtë 703.597 qytetarë apo 38.78 për qind e votuesve.

Sipas njësive zgjedhore, njësia e katërt ka jehonën më të madhe të votuesve deri në ora 17:00, ndërsa jehonë më e ulët është regjistruar në njësinë 6 zgjedhore.

Kreu i KSHZ-së, Oliver Derkovski theksoi se janë regjistruar disa parregullsi të vogla, të cilat sipas tij janë tejkaluar dhe procesi zgjedhor ka vazhduar pa pengesa, raporton ALSAT.

“Deri te KSHZ-ja kanë arritur disa ankesa, lidhur me shkeljen e te drejtës zgjedhore dhe heshtjes zgjedhore. Vlerësojmë se këto parashtresa nuk ndikojnë në procesin zgjedhore. Problemet janë tejkaluar deh ne mare vendin procesi zgjedhor vazhdon normalisht”, tha Derkovski.

Deri në orën 13:00, pjesërmarrja në zgjedhje 23.81%

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të mërkurën i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për përbërjen e re të Kuvendit.

Këto janë zgjedhjet e dhjeta parlamentare dhe të parat në kushte të pandemisë me protokolle të veçanta shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi i ri që shkakton sëmundjen COVID-19.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se deri në orën 13:00 në votime kanë dalë më shumë se 400,000 qytetarë apo 23.81 për qind e rreth 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas zëdhënësit të KSHZ-së, Admir Shabani, dalje më e lartë është regjistruar në njësinë e parë zgjedhore, me 27.09 për qind, ndërsa më e ulët në njësinë e gjashtë zgjedhore, me 15.58 për qind. Kjo njësi ka numrin më të madh të votuesve shqiptarë.

KSHZ-ja ka njoftuar se deri tani procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare po zhvillohet pa probleme.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, zgjedhjet e të mërkurës në Maqedoninë e Veriut i ka vlerësuar shumë të rëndësishme dhe të veçanta, si për faktin se zhvillohen në kushte pandemie, por edhe për rezultatin që siç tha do të përcaktojnë rrugën nëpër të cilën do të lëvizë vendi në katër vitet e ardhshme.

“Këto zgjedhje janë shumë me të ndryshme nga zgjedhjet e kaluara, por edhe shumë të rëndësishme, sepse me rezultatin e këtyre zgjedhjeve do të dimë në cilin rrugë do të ecë vendi, si do të jetë jeta e qytetarëve në katër vitet e ardhshme. Unë besoj se me fushatën tonë pozitive dhe promovuese kemi arritur të sigurojmë dhe bindim qytetarët se koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, koalicioni "Mundemi", është ai që pret mbështetjen më të madhe...Jam i bindur që qytetarët që dalin e ndiejnë përgjegjësinë e tyre si qytetarë, në mënyrë që të përcaktojnë rrugën, drejtimin në të cilin vendi ynë do të vazhdojë të lëvizë”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev pas votimit në qytetin e Strumicës.

Kryetari i VMRO DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski procesin votues e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm, në veçanti daljen e lartë të votuesve, që sipas tij tregon dëshirën e tyre për ndryshime që do të ndodhin. Ai gjithashtu ka tërhequr vërejtjen, për sic ka deklaruar, presionet që po i bëhen qytetarëve për të mos votuar ndryshimin.

"Sot është dita kur njerëzit do të flasin me zë të lartë, kur “Rimëkëmbja” fiton". Populli po del në votime masovisht dhe nga ajo që ne mund të shohim, ajo që po komentohet në mesin e qytetarëve, është se njerëzit janë të gatshëm për një ndryshim të madh që do të ndodhë të mërkurën, më 15 korrik. Çdo gjë që ka ndodhur në ditët e kaluara, parregullsitë e shumta, do të lënë njollë në gjithë këtë proces zgjedhor".

"Mesazhi im është - ndërgjegjësohuni, lërini qytetarët lirshëm dhe pa presione të shprehin mendimin e tyre, të japin zërin e tyre, sepse nuk ka më kohë për improvizime. Me rëndësi është se ndryshimi po vjen”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, pas votimit në Shkup.

Pas votimit në Zajas të Kërçovës, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se para se gjithash që procesi i votimit të jetë i rregullt duhet respektuar udhëzimet shëndetësore, por gjithashtu edhe i rëndësishëm për të çuar para, siç tha, agjendën evropiane dhe ngritjen e standardit të qytetarëve.

“Hapet një faqe e re në historinë e këtij vendi, për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku fituesit kanë një përgjegjësi historike për të përmbushur kushtet e nevojshme për BE. Do të duhet të punojmë për ngritjen e standardit të jetesës, arsimim më të mirë dhe shëndet. Pra, do të ketë shumë punë për të përmbushur kërkesat dhe pritjet e njerëzve. Jam i bindur që ne do të kemi sukses në këtë. Platforma jonë është e njohur, unë pres një fitore në kampusin shqiptar”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërkohë, Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët që është në koalicion me partinë Alternativa gjithashtu beson në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe fitoren e opozitës shqiptare.

“Partia politike në pushtet nga blloku shqiptar ka bërë presione vazhdimisht ditët e fundit. Jemi gjithashtu të informuar për shumë parregullsi, shantazhe, ryshfet, etj. Edhe sot, ata po mundohen të krijojnë probleme në disa vendvotime. Por, unë gjithmonë them se kur njerëzit duan ndryshim, askush nuk mund ta ndalojë atë. Ndryshimi do të vijë dhe qytetarët do të jenë të lirë”, ka deklaruar Sela pas votimit në Strugë.

Të drejtë vote kanë 1.814,263 shtetas të cilët do të zgjedhin 120 deputetët e Kuvendit Republikan, apo nga 20 në çdonjërin nga gjashtë njësitë zgjedhore, sipas sistemit proporcional me lista të mbyllura.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe do të mbyllet në orën 21:00, apo dy orë më shumë se në ciklet e kaluara zgjedhore për shkak të vlerësimit se procesi mund të jetë i ngadaltë andaj edhe është zgjatur për t'i mundësuar qytetarëve realizimin e të drejtës së zgjedhjes.

Votuesit në pikat e votimit nuk lejohen të futen pa maska dhe dezinfektim të duarve, ndërsa me maska janë edhe anëtarët e këshillave votues.

“I bëj thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë dhe të jenë të sigurt se të gjitha kushtet janë krijuar për votim të sigurt, para se gjithash për shëndetin e tyre dhe atë tjerëve që janë të kyçur në organizimin e këtij procesi zgjedhor. Duhet vetëm se të respektohen procedurat dhe protokollet e institucioneve shëndetësore dhe gjithçka do të jetë në rregull”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.

Në garë për të fituar ulëse në përbërjen e re parlamentare janë 1,578 kandidatë të 15 partive politike dhe koalicioneve, por beteja kryesore zhvillohet mes dy partive maqedonase, LSDM-së së ish kryeministrit, Zoran Zaev dhe partisë më të madhe opozitare VMRO DPMNE që drejtohet nga Hristijan Mickovski si dhe dy partive shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit dhe koalicioni Aleanca-Alternativa që drejtohet nga Zijadin Sela.

Në këto zgjedhje për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, u krijua një koalicion parazgjedhor midis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar. LSDM dhe Lëvizja Besa garojnë së bashku në këto zgjedhje.

Fushata zgjedhore u shënua nga premtimet ekonomike për paga dhe pensione më të larta, projekte të infrastrukturës si dhe mesazhe nacionaliste dhe lëshim pothuajse të përditshëm të regjistrimeve të paligjshme audio dhe video, në të cilat aktorët politikë dyshoheshin se ishin kapur në biseda të dyshimta për krim dhe korrupsion. Akuzat janë zhvilluar kryesisht mes VMRO-së dhe LSDM-së.

Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje doli me idenë e një kryeministri të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut ndërsa opozita shqiptare me moton “Tash është koha për ndryshim”.

Procesin zgjedhor po mbikëqyret nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj. Për zgjedhjet, përveç gazetarëve të akredituar vendor, po raportojnë edhe 55 media ndërkombëtare.

Ministria e Punëve të Brendshme, ka angazhuar rreth 6 mijë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Temat etnike vetëm për fushatë elektorale në Maqedoninë e Veriut

Sipas Kodit Penal, çdo keqpërdorim apo manipulim i procesit zgjedhor, si blerja e votave, presioni ndaj votuesve, votimi familjar dhe fotografimi i votës, paraqesin vepra penale dhe dënohen nga 3,5 dhe deri në 15 vite burg.

Zgjedhjet duhej të mbaheshin më 12 prill, por ato u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe deri në mbajtjen e zgjedhjeve vendi është drejtuar nga një qeveri teknike, pjesë e së cilës ka qenë edhe opozita maqedonase.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019 pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.

Maqedoni e Veriut: Deri në orën 11:00, pjesërmarrja në zgjedhje 11%

Komisioni Shtetëror i Zgjedhje në Maqedoninë e Veriut njoftoi se procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare po zhvillohet pa probleme dhe se deri në orën 11:00 në votime kanë dalë rreth 199,000 qytetarë apo 11 për qind e rreth 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas kryetarit të KSHZ-së, Oliver Derkovski, dalje më e lartë është regjistruar në njësinë e parë zgjedhore, me 13.7 për qind, ndërsa më e ulët në njësinë e gjashtë zgjedhore, me afro 6 për qind. Kjo njësi ka numrin më të madh të votuesve shqiptarë.

Votimet po zhvillohen në gjashtë njësi dhe në secilën prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë apo në total 120, sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Në garë janë 15 parti politike dhe koalicione.

Zgjedhjet po zhvillohen me protokolle të rrepta shëndetësore për mbrojtje nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Votuesit nuk lejohen të hyjnë në vendvotime pa maska dhe pa dezinfektim të duarve.

Procesi zgjedhor po mbikëqyret nga 2,508 vëzhgues vendorë dhe 98 të huaj.

Ministria e Punëve të Brendshme ka angazhuar rreth 6 mijë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.

Maqedoni, deri në ora 09:00 votuan mbi 5% të votuesve

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njofton janë hapur në kohë të gjitha vendvotimet dhe se procesi zgjedhor deri në ora 09:00 nuk është shënuar asnjë problem.

Sipas zëdhënës i KSHZ-së, Admir Shabanit, pjesëmarrja e votuesve në dy orëshin e parë është 5.19 për qind.

Në njësinë e parë zgjedhore dalja e votuesve 6.58 për qind, ku më së shumti dalje është regjistruar në Komunën e Aerodromit, ku kanë votuar 10.13 për qind. Dalje më të ulët në këtë njësi zgjedhore është regjistruar në Studeniçan ku ka dalje prej 1.81 për qind.

Në njësinë e dytë zgjedhore dalja është 4.58 për qind, ku dalje më e madhe është regjistruar në Gjorçe Petrov 8,05 për qind, ndërsa dalje më të ulët ka në Likovë, ku dalja është 0,93 për qind.

Në njësinë e tretë zgjedhore dalja është 6.1 për qind ku Kriva Pallanka ka dalje më të lartë 8.31 për qind si dhe Probishtipi me 10.25 për qind dalje.

Në njësinë e katërt zgjedhore jehona e votuesve deri në ora 09:00 shkon në 7.66 për qind ku dalje më të madhe të votuesve ka në komunën e Novaci 10.80 për qind kurse dalje më e ulët është regjistruar në Konçe ku dalja është 2.42 për qind.

Në njësinë e pestë zgjedhore dalja e votuesve deri në ora 09:00 është 5.22 për qind, ku dalje më të madhe ka Krivo Gashtani me 13.1 për qind, kurse në Qendër Zhupë ka dalje më të vogël 1.01 për qind.

Në njësinë e gjashtë zgjedhore dalja është 2.59 për qind, ku dalje më e madhe e votuesve është regjistruar në komunën e Jugunovcit ku dalja është 4.17 për qind kurse më pak dalje të votuesve ka në Vrapçishtë ku janë regjistruar 1.39 për qind të votuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat