​Rritet numri i të shëruarve nga Covid-19 në Maqedoni, bie ai i të infektuarve

Maqedonia

​Rritet numri i të shëruarve nga Covid-19 në Maqedoni, bie ai i të infektuarve

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 13:43
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë Veriore informon se faktori R0 i transmetimit të virusit tregon një trend pozitiv në rënie i cili është 0.9, ndërsa për gati një muaj ka qenë rreth 1.

“Vazhdon trendi i uljes së numrit të personave të sapoinfektuar dhe të vdekur, ndërsa shënohet edhe një rritje e konsiderueshme e numrit të personave të shëruar në krahasim me javën e kaluar, sipas raportit javor të Institutit të Shëndetit Publik të publikuar sot për periudhën nga 27 korriku deri më 2 gusht, thonë nga MSH.

ISHP raporton se në periudhën e caktuar janë kryer gjithsej 9,709 teste (146 më shumë nga periudha 20 – 26 korrik) dhe janë regjistruar 912 raste pozitive të Kovid-19 e që është 4.6 për qind më pak se javën e kaluar.

“Në periudhën raportuese, vërehet një rënie e lehtë e përqindjes së rasteve pozitive të testuara e cila është 9.4 për qind (javën e kaluar 10 për qind e të testuarve ishin pozitiv). Të infektuarit e rinj janë regjistruar në 28 qytete, me përqindjen me ç’rast përqindja më e madhe e të infektuarve të rinj është në Shkup (27.9 për qind – një rënie e vogël për tre javë rresht), Shtip (12.2 për qind) dhe Gostivar (11.2 për qind). Në 19 qytete të vendit, për të njëjtën periudhë, numri i rasteve të konfirmuara rishtas është nën 20”, informojnë nga Ministria.

Sa i përket strukturës së moshës të të infektuarve të rinj në këtë periudhë, përqindja më e lartë janë njerëzit mbi 60 vjeç – 22.9 për qind, ndërsa një numër më i madh i pacientëve është regjistruar në mesin e personave të moshës 30-39 vjeç – 19.4 për qind. Në grupmoshën 40-49 vjeç janë 17.9 për qind e të infektuarve të rinj, ndërsa në grupmoshën 50-59 vjeç – 17.8 për qind. Numri më i ulët është regjistruar te fëmijët nga 0 deri në 9 vjeç – 3.1 për qind dhe 10-19 vjeç 5.0 për qind.

“Nga rastet që hetohen në mënyrë epidemiologjike, 136 persona ose 15.7 për qind janë shtruar në spital, ndërsa te 277 persona ose në 32.2 për qind është regjistruar prania e komorbiditeteve. Nga numri i përgjithshëm i të infektuarve 38.1 për qind kishin kontakte me rast të konfirmuar të Kovid-19, ndërsa 21 persona (njëjtë me javën e kaluar) kanë pasur një histori udhëtimi jashtë vendit në 14 ditët e kaluara”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në periudhën 27 korrik – 2 gusht, janë regjistruar 1,032 persona të shëruar të cilët janë shtruar në spital ose trajtuar në shtëpi, që është 378 persona ose 36.6 për qind më shumë se javën e kaluar raportuese (20 – 26 korrik).

“Në periudhën 27 korrik – 2 gusht janë regjistruar 29 vdekje, që është një rënie prej 14.7 për qind, krahasuar me javën e kaluar. Shumica e rasteve janë njerëz mbi 60 vjeç – 75.9 për qind. Në kushte spitalore kanë vdekur 24 nga rastet, ndërsa pesë jashtë spitaleve. Te 23 nga rastet e vdekjes (79,3 për qind) janë regjistruar komobirditete të mëparshme, kumtojnë nga Ministria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat