Taktika/ Zaev ndan partitë shqiptare, duke i joshur secilin me hyrje në qeveri

Maqedonia

Taktika/ Zaev ndan partitë shqiptare, duke i joshur secilin me hyrje në qeveri

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 19:13
Zoran Zaev është takuar sot me thuajse të gjithë partitë shqiptare, duke shpërndarë një foto ku shfaqet i qeshur me kreun e Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela

Lideri i partisë fituese të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev, po vijon taktikën e tij për të nervozuar dhe ç’faktorizuar partinë më të madhe shqiptare, BDI-në e Ali Ahmetit.

Zoran Zaev është takuar sot me thuajse të gjithë partitë shqiptare, duke shpërndarë një foto ku shfaqet i qeshur me kreun e Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela, çka po komentohet si një “shkelje syri” ndaj këtij të fundit.

BDI ka kërkuar se do të kërkojë kryeministrin shqiptar nga LDM-ja, por Zaev ka deklaruar që Ahmetit as nuk duhet t’i shkojë ndërmend ky opsion.

Nga ana tjetër, Zaev, ka bërë të ditur se ai planifikon një qeveri me stabilitet më të madh, që do të thotë se mund të marrë jo thjesht BDI-në në koalicion me të cilën arrin 61 vota, por edhe Selën, e cila ka 12 deputetë.

Ajo që duket si jo shumë pozitive, është se faktori shqiptar në vend që të faktorizohet përpara negociatave me Zaevin është ndarë dhe bën bisedime të ndara, ç’ka ul fuqinë potenciale të 32 deputetëve shqiptarë, duke i ndarë sipas parcelave partiake.

E si për të forcuar pikërisht këtë strategji “përça e sundo” të Zaevit, ka dalë edhe lideri i opozitës, Mickovski, i cili ka akuzuar shefin e mazhorancës që ka tentuar të blejë deputetë nga e djathta për të mbështetur qeverinë e tij. “Janë hedhur në lojë shifra 6 shifrore”, ka thënë ai duke bërë të ditur se flitet për qindra mijëra euro për votë ndaj qeverisë.

Nëse do të ndodhë kështu, atëherë Zaevi, po synon një kabinet që të mos jetë i varur nga shqiptarët. Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat