Vijojnë takimet e partive politike larg mediave - Bota Sot
Vijojnë takimet e partive politike larg mediave

Maqedonia

Vijojnë takimet e partive politike larg mediave

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 20:50
Nikollovski-Grubi

Partitë politike vazhdojnë negociatat për formimin e shumicës së re parlamentare, por larg syve të opinionit. Një takim i ri sot është zhvilluar mes sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së Lupço Nikollovskit dhe përfaqësuesit të BDI-së, Artan Grubit. Ndërsa nga BDI-ja nuk komentojnë epilogun e takimit, Nikollovski tha se programi i përbashkët i mundshëm qeveritar duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe programet parazgjedhore të partive.

“Pajtohemi plotësisht për respektimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe Marrëveshjes së Ohrit. Jemi të përkushtuar në kohezion social, shoqëri të fuqishme dhe tolerante, sundimit të së drejtës dhe pajtohemi tu kundërvihemi të gjitha formave të nacionalizmit dhe urrejtjes. Biseduam se programi i përbashkët eventual i Qeverisë patjetër të jetë në harmoni me Kushtetutën, ligjet dhe programet zgjedhore të LSDM-së dhe BDI-së”.

Edhe nga VMRO – DPMNE thonë se punojnë për formim të shumicës parlamentare, por nuk japin detaje rreth takimeve.

 “Bëjmë përpjekje që të formojmë shumicë parlamentare. // Lidhur me takimet e ardhshme të cilat duhet të caktohen, respektivisht të cilat do të realizohen, do të presim e ja lëmë kohës, por në momentin që do të caktohen ose kur do të kemi informata më konkrete do të njoftohen edhe mediat edhe opinioni se deri ku është situata me negociatat- deklaroi Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

 Ndërkaq nga Koalicioni ASH-AAA, thonë se pas takimit në Kuvend me kreun e LSDM-së nuk kanë pasur takime të tjera. Shtojnë se në negociata janë vetëm me LSDM-në. Nga ky koalicion thonë se negociata zyrtare do të kenë pasi presidenti Stevo Pendarovski të japë mandatin për formimin e Qeverisë së re. Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari përsëriti se nuk kanë asnjë përputhje me BDI-në, por se do ta mbështesnin mandatin eventual të Naser Ziberit si kryeministër.

“Theksojmë se miratimi ynë ndaj kësaj partie do të ndodhë vetëm nëse z.Naser Ziberi merr mandat si kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, kuptohet qartë se ky miratim nuk ka lidhje me partinë e BDI-së por ka lidhje me kandidatin për kryeministër- pohoi Arben Taravari – ASH.

Përderisa partitë politike nuk japin informata konkrete për formimin e shumicës parlamentare, Presidenti Stevo Pendarovski ka afat edhe shtatë ditë që të japë mandatin për formimin e Qeverisë së re.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat