​Nesër vendimi final për vitin e ri shkollor

Maqedonia

​Nesër vendimi final për vitin e ri shkollor

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 17:20
Ilustrim

Komisioni për sëmundje infektive i Maqedonisë Veriore sot nuk mori asnjë vendim për modelin final të realizimit të procesit mësimor.

Siç njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë janë diskutuar protokollet shëndetësore për realizim të mësimit si dhe mundësia e fillimit të vitit shkollor nga 1 shtatori, por duke kërkuar zgjidhjen më të mirë dhe më të sigurt për nxënësit dhe gjithë të punësuarit në arsim, nuk është marrë asnjë vendim. Komisioni të njëjta protokolle do t’i diskutojë sërish nesër bashkë me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit.

Ndërkohë, sipas informacioneve që ka siguruar Alsat, modeli final nuk do të vlejë njëjtë për të gjitha shkollat por gjithçka do të varet nga numri i nxënësve në shkolla.

Të njëjtat burime, thonë se është diskutuar që shkollat të cilat kanë numër më të vogël të nxënësve ta realizojnë procesin mësimor në formë të rregullt, ashtu siç ishte para mbylljes së shkollave për shkak të pandemisë COVID- 19.

Kjo nënkupton që edhe ora e mësimit të zgjatë 40-45 minuta. Ndërsa, në shkollat e stërngarkuara me nxënës është diskutuar që mësimi të zhvillohet në formë të kombinuar, një pjesë e nxënësve ta ndjekin mësimin në shkollë ndërsa pjesa tjetër online nga shtëpia. Edhe për këto të fundit parashihet që ora e mësimit të zhvillohet e plotë.

Ditë më parë, ministri i Arsimit Arbër Ademi tha se viti i ri shkollor pritet të fillojë më 1 shtator me prezencë fizike të nxënësve duke shtuar se ka kohë të mjaftueshme për përshtatjen e shkollave me protokollet për mbrojtje nga virusi korona.

Propozimet e Ministrisë së Arsimit tashmë janë diskutuar edhe në Shtabin e Krizës ku ka mbizotëruar qëndrimi që viti i ri shkollor të fillojë me prezencë fizike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat